Google ADS

Nuk aprovohet këmbimi i 7.5 hektarëve të tokës komunale të Pejës me një private

15:40 | 30 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Në takimin e rregullt dhe të fundit për këtë vit të Kuvendit Komunal të Pejës, ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe propozimi i kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, për këmbimin e pronës komunale me sipërfaqe prej 7 hektarë e 49 ari, që gjendet në zonën kadastrale Jabllanicë e Vogël me një pronë private në sipërfaqe prej 1 ari e 6 metra katrorë, që gjendet buzë Lumëbardhit në Lagjen Kapeshnicë.

Kjo pronë private ishte shpallur interes publik më qëllim të ndërtimit të rrugës për shtegun e ecjes për këmbësorë, buzë Lumëbardhit. I njëjti propozimi i Muhaxherit kishte qenë në Kuvend edhe para gati dy vitesh dhe ai nuk ishte aprovuar nga kuvendi, prej të cilit kreu i Komunës kishte shpresuar që kësaj radhe do ta aprovojë.

Mirëpo edhe kësaj here ky propozim hasi në kundërshtim të shumicës së këshilltarëve, jo vetëm nga subjektet opozitare por edhe nga këshilltarët e subjektit të PDK-së, që në koalicion me LDK-në bashkëqeverisin Komunën e Pejës.

Fillimisht, shpresën që do ti bindë që ta votojnë propozimin e tij, Muahxheri, me slajde me projektor ua prezantoi këshilltarëve pronën private dhe rëndësinë e saj për realizmin e planeve dhe projekteve për rregullimin e asaj hapësire edhe me shkallë për t’u ulur buzë lumit. Duke e arsyetuar këtë propozim, Muhaxheri pohoi se toka komunale në Jabllanicë nuk ka qasje me rrugë nga ana e territorit të Pejës, por vetëm nga fshati Kaliqan i Istogut.

“Është një pronë që nga Komuna dhe qytetarët e saj nuk mund të përdoret. Kurse një ari mund të përdoret për 100 vitet e ardhshme. Unë e kam menduar gjatë këtë punë dhe kam konsideruar që ajo tokë që nuk shfrytëzohet është mirë me ndërrua me një parcelë që shfrytëzohet. Janë tri projekte që janë në zhvillim dhe ju si këshilltarë mundeni me kontribuua në realizmin e këtyre projekteve”, u shpreh ai.

Mirëpo krejt pa rrugë, siç tha Sadri Murtezaj, këshilltar i AAK-së dhe banor i asaj ane, nuk janë ato 7.5 hektarë. Ai tregoi se është rritur atje dhe se janë dy-tri rrugë që shpien deri te ajo tokë, ndonëse nëpër prona private. Ai e pa shumë më të arsyeshme dhe më të rëndësishme që ajo tokë t’i jepet fshatit Jabllanicë për varreza. “Problemi i jonë atje është se nuk do të kalojë viti dhe fshati Jabllanicë do të ketë nevojë tokë për varreza. E kur të nisin qytetarët të kërkojnë tokë për varreza ku me i marrë në atë tokë nëse tash e japim këtë tokë që është. Pra edhe çështja e rrugës do të zgjidhej nga vetë qytetarët atje nëse do t’i jepej toka komunitetit për varreza. Prandaj ju kisha lutë që të mos votojmë politikisht por me arsye”, kërkoi ai prej kolegëve në Kuvend.

Edhe Nazmi Krasniqi i AAK-së kërkoi që të mos aprovohet ky propozim, i cili, sipas tij, është i njëjti sikur para dy vitesh.

“Edhe atëherë e kemi diskutuar dhe e kemi refuzuar edhe atëherë me arsyetimin se ka qenë një propozim i pa vend i pa arsyeshëm dhe pa kurrfarë logjike. Edhe pse toka nuk paska qasje me rrugë prej Peje, ajo tokë ka qasje nga ana e Istogut me rrugë dhe shkojmë rrotull në atë tokë. Po doni me na bë përrallë me këtë këmbim kur të dëgjojnë jo vetëm në Pejë por edhe me larg, që për një ari tokë me i dhënë 7.5 hektarë tokë, e cila edhe me qenë shkëmbinj nuk ishte bërë e lëre më qe në atë tokë që sot është pyll, përpara ka qenë vreshta rrushi dhe grunajë”, shpreh Krasniqi.

Njëjtë kundër këtij propozimi u shpreh edhe Muhamet Haliti, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së, e cila është si partnere e LDK-së në bashkëqeverisje në Pejë. Ai tha se edhe herën e parë ka qenë kundër këtij propozimi të kryetarit dhe është edhe tash. “Sado që e mbështes kryetarin për realizimin e projekteve përgjatë Lumëbardhit, por këmbimin e këtyre dy pronave unë nuk mund ta arsyetoj sepse është një disproporcion i madh mes tyre dhe ajo tokë nuk është shkurre, por është tokë e pëlleshme pavarësisht se aktualisht është e mbuluar me pyll. Kështu që ne do të jemi kundër këtij propozimi dhe ftoi edhe kolegët e tjerë në Kuvend që të mos e aprovojnë, sepse do të ishte një imazh i keq për Kuvendin po të miratohej ky propozim dhe me siguri ka mundësi me gjet një zgjedhje tjetër për atë një ari tokë që i duhet komunës”, tregoi Haliti qëndrimin edhe të grupit të këshilltarëve të PDK-së, që kësaj here Muhaxheri nuk do t’i ketë krah për këtë propozim, të cilin Reshat Nurboja, këshilltar i Alternativës kërkoi që të hiqej krejt nga rendi i ditës.

“Me propozime të tilla vërtet po behëm përrallë në aspekt intelektual dhe atë njerëzor”, u shpreh Nurboja për këtë këmbim, të cilin nuk e kuptonte as këshilltari i LVV-së, Bashkim Lajçi, i cili gjithashtu u shpreh kundër, pavarësisht se, siç shtoi ai, qëllimit të kryetarit për të bërë mirë. “Me siguri mund të ketë zgjidhje edhe më të mira sesa që është ky propozim i juaji”, ju drejtua Lajçi kryetarit të Komunës, i cili, megjithatë, nuk insistonte me tërë energjinë që gjithsesi të aprovohet, megjithëse vërehej pak edhe inati në fytyrën e tij që nuk dëgjonte përkrahje, përveç këshilltarëve të LDK-së, ndonëse edhe prej tyre jo të gjithë ishin përkrahës të atij propozim. “Nëse ju duket e palogjikshme ky propozim, mos e votoni, por me ju tregu një të drejtë, ju veç për ndërrim të pronave dhe për buxhet keni mundësi me vendos, se për krejt të tjerat sovrani ma ka lënë mua me vendos. Sot e keni ju në dorë me vendos dhe është problem i juaji si vendosni, por ata që mendojnë që politikisht mundohen me ndal realizimin e këtyre projekteve sepse po ju pengojnë dikujt duke menduar në zgjedhjet e ardhshme se çka ka me ndodh, po gabojnë se mund ti ndalin se planet tona do t’i realizojmë dhe qytetarët e Pejës ato i vlerësojnë shumë. Kështu që votoni sipas bindjes suaj”, iu drejtua Muhaxheri këshilltarëve edhe me një porcion mllef, pasi e vërejti se propozimi i tij sërish hasi në kundërshtim edhe para se të votohej propozimi i tij, i cili nuk gjeti mbështetjen as të të gjithë këshilltarëve të LDK-së. Kjo edhe në votim u vërejt se nuk e votuan të gjithë 15 këshilltarët e LDK-së në Kuvend, respektivisht 14, pasi njëri ende nuk është certifikuar nga KQZ-ja. Prej 32 këshilltarëve të pranishëm, prej 35 këshilltarëve sa i ka Kuvendi, vetëm 10 veta ishin pro këtij propozimi, 21 kundër dhe një i përmbajtur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme