Njoftim i rëndësishëm nga Haga: Avokatët e të akuzuarve ftohen për akreditim në Speciale

17:25 | 6 Nëntor 2017
M. A.

Gjykata Speciale ka hapur thirrjen për paraqitje të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, të dyshuarve dhe viktimave. Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media të kësaj gjykatë.

Thirrja për akreditim të mbrojtësve të të akuzuarve apo dyshuarve tjerë ka ndodhur ndërkohë sa ende nuk janë bërë publik emrat e personave që do të ballafaqohen me drejtësinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Zyra për Media e kësaj gjykate i ka emërtuar si Direktivë për Mbrojtësit, hapet e procesit të paraqitjes së kërkesave për mbrojtës të të dyshuarve ose të akuzuarve dhe për mbrojtës të viktimave.

Ky është njoftimi i plotë:

Në kuadër të mandatit të tyre për mundësimin e procedurave të drejta dhe të sigurta, Dhomat e Specializuara të Kosovës garantojnë të drejtat themelore të të dyshuarve ose të akuzuarve për mbrojtje, si dhe ato të viktimave. Për mbrojtjen e të dyshuarve ose të akuzuarve dhe për pjesëmarrjen e viktimave nevojiten mbrojtës kompetent.

Me miratimin e Kryetares, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, pas këshillimeve me gjykatësit, Administratorja, dr. Fidelma Donlon, sot nxori Direktivën për Mbrojtësit, e cila hyri në fuqi në ditën e publikimit të saj në faqen e Dhomave të Specializuara në Internet.

Direktiva për Mbrojtësit përcakton kriteret për pranim në Listën e Mbrojtësve. Vetëm mbrojtës që i përmbushin kriteret për pranim në Listën e Mbrojtësve mund të emërohen ose të caktohen prej Administratores për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve ose të një grupi viktimash.

Rrjedhimisht, ftesa për dorëzimin e kërkesave për pranim në Listën e Mbrojtësve nga sot është e hapur. Kërkesat për përfshirje në:

– Listën e Mbrojtësve të Specializuar, i dërgohen Zyrës së Mbrojtjes të Zyrës Administrative të Dhomave të Specializuara të Kosovës në: [email protected]

– Listën e Mbrojtësve të Viktimave, i dërgohen Zyrës së Pjesëmarrjes së Viktimave të Zyrës Administrative të Dhomave të Specializuara të Kosovës në adresën: [email protected]

Formularin e Kërkesës dhe Udhëzuesin në lidhje me plotësimin e formularit të kërkesës për pranim në Listën e Mbrojtësve mund t’i gjeni në faqen tonë në Internet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme