Njëvjetori i Banjskës, Ambasada gjermane: Autori i krimit ende i lirë në Serbi

08:35 | 24 Shtator 2024
E.H

Ambasada Gjermane në Kosovë ka përkujtuar sulmin terrorist serb në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në një komunikatë për media, Ambasada gjermane thotë se kontributi i heroit Bunjaku nuk do të harrohet kurrë teksa thekson faktin se përgjegjësi i këtij sulmi, krimineli Millan Radoiçiq është ende i lirë në Serbi, përcjell arbresh.info.

“Një vit më parë, gjatë sulmit të tmerrshëm në Banjskë, polici i Kosovës Afrim Bunjaku humbi jetën. Sakrifica e tij nuk do të harrohet, por fakti mbetet: Milan Radoiçiq, autori i dyshuar pas këtij krimi, pavarësisht se ka pranuar përgjegjësinë, është ende i lirë në Serbi”, thuhet në kumtesë.

Tutje, Ambasada ka kërkuar që të mos ketë vonesa apo justifikime për vendosjen e drejtësisë.

“Dështimi për të mbajtur përgjegjës përgjegjësit, pavarësisht pranimeve të qarta të fajit, minon paqen në rajon dhe dërgon një mesazh të rrezikshëm. Drejtësia duhet të vendoset. Nuk ka më vonesa apo justifikime”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme