Njeriu që shkeli në Hënë krenar me hapjen e Observatorit – thotë se shumë shpejt do ta vizitojë Kosovën

20:57 | 2 Korrik 2024
E.G

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës kanë përuruar javë më parë projektin e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar.

Pranvera Hyseni, themeluese dhe drejtoreshë në “Astronomy Outreach” të Kosovës, ka pohuar se këtë arritje të madhe historike e ka përshëndetur edhe astronauti legjendar i Apollo 16, Charlie Duke.

“Zemrat tona u ndriçuan me një surprizë të pabesueshme. Astronauti legjendar i Apollo 16, Charlie Duke, një nga të paktët njerëz që kanë shkelur në Hënë, na nderoi me një video mesazh të veçantë për hapjen madhështore të Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës”, deklaroi astronomia.

“Ky moment historik shënon një hap të madh për vendin tonë, duke na sjellë më afër botës së astronomisë dhe zbulimeve të reja. Falënderimet tona më të përzemërta shkojnë për astronautin Charlie Duke, Dario Kubler, Rodrigo Araya, dhe për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj arritjeje të jashtëzakonshme”, përfundoi ajo.

“Përshëndetje Pranvera. Dëshirojë të urojë suksese në punën që po bën me Observatorin dhe Planetariumin e Kosovës. Ne po mendojmë se punën që po bën me të rinjtë e Kosovës është një mundësi e mrekullueshme për ata dhe ty. Besoj se shumë shpejt do të vizitojmë Kosovën”, pohoi ai.

Ndryshe, vetëm katër njerëz janë ende gjallë prej tetëve që kanë ecur në Hënë – Charlie Duke është një prej tyre.

Ai eci në Hënë në moshën 36-vjeçare, duke e bërë atë personin më të ri që ka shkelur në sipërfaqen hënore.

Ai kishte luajtur tashmë një rol tjetër domethënës në eksplorimin e Hënës nga NASA.

Duke tani jeton jashtë San Antonio, Teksas, me Dorothy, me të cilën ka qenë i martuar për 60 vjet. /Telegrafi/

Të ngjashme