Njerëzit e AAK-së janë më të diskriminuarit në punësim, arsyetohet Haradinaj

18:42 | 19 Mars 2019
Arbresh.info

I pari i Ekzekutivit, gjatë ditës së sotme, është zotuar se në zyrën e tij nuk ka persona të punësuar, të cilët janë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa sa i përket punësimeve në Telekom, ai ka fajësuar të gjitha partitë politike.

Ramush Haradinaj tha se AAK është më së paku e përfshirë në abuzimet e punësimeve dhe se kjo parti politike ka përkrahje nga 10 për qind të qytetarëve, e në anën tjetër vetëm 1 për qind është e përfaqësuar.

“Unë njoh kolegë të Aleancës që kanë konkurruar qindra herë në 12 vjet, dhe kanë pasur fakultete të kryera brenda dhe jashtë vendit, ekspert. Jo si të Aleancës por si të Kosovës. Unë udhëheq Qeverinë, që është PDK, Nisma, AKR, Srpska, më së paku është AAK. E thashë nuk është parametër dhe nuk dua të krijoj këso kritere, por kjo është e vërtetë do të thotë, unë jam kundër abuzimeve, qofshin të afërm të mi familjarë, qofshin zyrtarë të Aleancës. Megjithatë njerëzit më të diskriminuar që kanë ekzistuar për një vend punë, sidomos në sistemin publik, janë njerëzit të AAK-së edhe shumica prej tyre kanë përfunduar shkolla të mira dhe janë njerëz të zotë me punuar”, tha Haradinaj.

Ai ka komentuar edhe punësimet në baza politike në Telekom.

“Ata kanë kërkuar punë, ua ka çelur dyert Posta, ose në ndërmarrjen Pastrimi, në rregull ajo është nder me shkuar me punuar edhe aty, por imagjinoni dikush që dorëzohet dhe lyp një vend pune dhe droja ime është që janë duke i ofenduar. Nuk kanë shkuar të gjithë prej qejfit. Kanë interesa si të gjithë qytetarët e vendit dhe ata që e kanë krijuar gjendjen, nuk janë target i kësaj, edhe ashtu nuk e ndryshojnë gjendjen, fatkeqësisht”, ka thënë Haradinaj.

Ai është deklaruar edhe rreth punësimit të djalit të këngëtares Shkurte Fejza në Qeveri, duke thënë se nuk ka shumë informacione.

“Punësimi i djalit të Shkurte Fejzës, nuk mund t’ju ndihmoj shumë, por me siguri do të marrë edhe informata. Më kanë treguar që mund të jetë pyetje sot, por vërtet nuk di çfarë të them, si ka ardhur te punësimi, si shkojnë dhe si është përdorur praktika e vlerësimit. Mos ta diskutojmë kualitetin e tij apo të komponentit që ka garuar”, u shpreh ai./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme