Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani vazhdon të punoj si profesor i rregullt në Fakultetin Juridik, përkundër dënimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës muajin e kaluar.
Edhe pse vendimi kundër Hasanit nuk është i formës së prerë, njohës ligjor dhe njohës të fushës së arsimit, duke mos dashur të flasin për raste specifike, pohojnë se personat e akuzuar për vepra penale të natyrës korruptive, nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve publike.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se ky Instituti në vazhdimësi ka mbajtur qëndrimin se në institucionet publike si Kuvendi i Kosovës, Qeveria, institucionet e drejtësisë apo institucionet tjera publike të punojnë figura me dosje të pastër.
Sipas Miftarajt, IKD këtë e ka bazuar edhe në praktikat dhe standardet e aplikueshme në shumë vende të BE-së, ku sipas tij, persona të cilat janë të emëruar politik, ushtrojnë funksione publike apo janë të përzgjedhur të popullit duhet të jenë shembull për të tjerët, përmes sjelljeve të tyre dhe respektimit të ligjit.
“Në vende të Bashkimit Evropian, si është Gjermania, Austria, Suedia, Norvegjia apo vende tjera, është e paimagjinueshme që një figure publike i zgjedhur nga populli apo i emëruar në pozita shtetërore të ushtroj këto pozita, përderisa në të njëjtën kohë të jetë i akuzuar për vepra penale të natyrës korruptive”, shprehet Miftaraj.
Ai, thotë se në çdo rast duhet të zbatohen procedurat dhe ligji i aplikueshëm në mënyrë që të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj të respektohen në çdo rast të caktuar.
“IKD vazhdimisht ka ngritur shqetësime rreth ngritjes së aktakuzave pa bazë dhe prova të cilat janë vlerësuar si aktakuza presekutuese. Gjithashtu, IKD ka kritikuar politikën e dënimeve në rastet e korrupsionit si politikë amnistuese ndaj korrupsionit. IKD vlerëson së në të gjitha rastet ku përfshihen zyrtarët, sidomos zyrtarët e lartë, dënimet duhet të jenë adekuate me dënim me burgim efektiv, për të dhënë mesazhin e duhur tek zyrtarët e korruptuar dhe publiku”, thotë Miftaraj.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Popovci thotë se pa paragjykuar epilogun e rasteve të Enver Hasanit dhe disa raste të tjera, ku disa asistentë të UP-së janë akuzuar për afera korruptive, UP duhet nuk duhet t’i mbyll sytë, aq më pak sipas tij kur në afera të tilla janë të përfshirë stafi akademik
Sipas tij, veprat me të cilat ngarkohet ish-rektori dhe grupi i asistentëve dhe studentëve të UP janë serioze, por, sipas tij asnjëri nga aktgjykimet nuk është i formës së prerë. Përderisa është kështu ndaj këtyre personave sipas tij, nuk mund të ndërmerret ndonjë masë drastike, sepse ata konsiderohen, ligjërisht, të pafajshëm. Mirëpo Popovci thotë se nëse ndodhë që aktgjykimet për dënim të marrin formën e prerë, atëherë UP ka mundësi ligjore që të merr masa ndaj këtyre personave, deri në largim nga universiteti.
“Pa paragjykuar se si do të jetë epilogu gjyqësor i këtyre rasteve, mendoj se një universitetit nuk i takon t’i mbyllë sytë para aferave korruptive, sidomos kur në afera të tilla përfshihet stafi akademik. Pa dyshim se kjo rrënon prestigjin e institucionit dhe jep shembull të keq për studentët dhe për shoqërinë në përgjithësi”, shprehet Popovci.
Ndryshe, ish-rektori i UP-së, Enver Hasani është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 tetor në lidhje me përkthimin e librave.
Enver Hasani u dënuar me 1 vit burg me kusht për dy vjet verifikim nga Gjykata Themelore në Prishtinë në lidhje me kontratën për përkthimin e librave nga anglishtja në shqip për Universitetin e Prishtinës.
Gjykata pati shpall fajtorë edhe dy të akuzuarit tjerë në këtë rast, Albert Rakipit e Hakif Veliut, dhe të njëjtit i pati dënuar dënuar me nga gjashtë muaj burg, masë e cila u zëvendësohet me gjobë prej 10 mijë euro.
Hasani, bashkë me dy të akuzuarit tjerë detyrohen nga gjykata që t’ia kompensojnë UP-së dëmin prej 70 mijë euro “në mënyrë solidare”.
Enver Hasani ishte akuzuar edhe si ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, për akuzat për falsifikim të dokumentit zyrtar, si dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte në krye të Kushtetueses.
Por, Gjykata e Apelit pati vendosur që të hudh poshtë akuzën ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Ndërkohë Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për mbrojtjen e ligjshmërisë paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, e cila pati hedhur poshtë aktakuzën dhe pati pushuar procedurën penale ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani./ Arbresh.info
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...