Prokuroria Themelore në Pejë, të martën ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Numan Baliq.
Sipas aktakuzës, më 12 gusht të këtij viti, derisa ishte në vendin e tij të punës, në Spitalin e Pejës, ai ka ngacmuar seksualisht një 23-vjeçare, e cila ishte duke qëndruar aty me vajzën e saj të sëmurë.
Por, ky nuk është rasti i parë që Baliq akuzohet për sulm seksual në vendin e tij të punës.
Mbrëmjen e 22 gushtit të këtij viti, një grua ka raportuar në Polici se është ngacmuar seksualisht nga mjeku Numan Baliq.
Nacmimi kishte ndodhur në Spitalin e Pejës, aty ku Baliq po ushtronte profesionin e tij si kirurg.
Gruaja që kishte raportuar rastin po qëndronte në spital me vajzën e saj të sëmurë, ku dyshohet se Baliq kishte shfrytëzuar rastin dhe e kishte ftuar atë në zyrën e tij.
Burime të Express brenda Policisë së Kosovës kishin bërë të ditur se 23-vjeçarja kishte arritur të ikë nga Baliq, dhe kishte kërkuar ndihmë fillimisht nga sigurimi i spitalit e më pas kishte telefonuar edhe policinë.
“Ka hyrë në repart, gruaja e ka pasur vajzën që 16 ditë. Mjeku i ka thënë duhet të vish në zyrë për një aparat, pastaj ka filluar ta ngacmojë me fjalë dhe ka filluar ta prek në trup. Ajo e ka thirrur sigurimin dhe policinë”, kanë thënë këto burime.
Ndaj Baliqit u shqiptua masa e paraburgimit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”.
Ndërkohë, të martën Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Numan Baliq.
Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit, N.B., për shkak të veprës penale “Sulm seksual”, nga neni 229, paragrafi 3, nën-paragrafi 3.10 pika 3.10.2 , lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri N.B., me datë 12 gusht të këtij viti , në ora 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, në cilësinë e profesionistit shëndetësor, duke keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës, i pandehuri cyt të dëmtuarën që ta prek për qëllime seksuale, pa pëlqimin e saj, derisa viktima arrinë të largohet nga i pandehuri dhe kërkon ndihmë fillimisht nga rojet e sigurisë , e me pas e raporton rastin në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në njoftim është bërë e ditur se me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i ka propozuar Gjykatës që ta shpall fajtor ish-ministrin e Shëndetësisë.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thekson njoftimi.
Por, ky nuk është rasti i parë kur 62-vjeçari Numan Baliq akuzohet për sulm seksual në vendin e tij të punës.
Një rast i ngjashëm kishte ndodhur 12 shtatorin e vitit 2018, ku një 17-vjeçare kishte akuzuar kirurgun Numan Baliq se e kishte ngacmuar seksualisht.
17-vjeçarja nga fshati Vitomiricë e Pejës, po ndiqte mësimet praktike në këtë spital, ku edhe pretendonte se ishte ngacmuar seksualisht nga ish-ministri.
Ajo kishte deklaruar se Baliq kishte tentuar ta dhunonte, për këtë e kishte lajmëruar në polici.
Madje, ishin publikuar edhe disa letra të cilat prindi i vajzës kishte thënë se Baliq ia ka dërguar 17-vjeçares.
“E dashura dhe e preferuara ime S…, e vetmja në botë, po të lajmërohem me këtë letër sepse më nuk munda të duroj që të mos lajmërohem! Prej të shtunës, prejse jemi takuar herën e fundit dhe ashtu në mënyrë të turpshme u grindëm, në të vërtet prejse “super nëna” më bërtiti dhe më goditi me një arsenal të tërë të fyerjeve çfarëdo që i ra ndërmend ndërsa unë ato i durova si kalorës i vërtetë, me buzëqeshje, prej atëherë mendoj vetëm për ty, brengosem dhe jam i trishtuar deri në atë masë saqë zemra ime, shpirti im i dashur, S… ime e vetme, u shndërrua në një mal trishtimi, i cili aq shumë më lëndon saqë nuk do të kem qetësi derisa të më lajmërohesh!”, shkruante në letrën që familja e vajzës e kishte nxjerrë në publik.
“Të lutem, mendo mirë dhe dije se të dua më së shumti, dhe se për ty jam më i rëndësishëm nga prindërit e tu dhe nga gjithkush në botë, sepse unë jam bashkudhëtar i yt i përjetshëm me, dëshirë të Zotit, në këtë botë dhe në botën e përjetshme, dhe sipas ligjit të Allahut unë jam për ty më i rëndësishëm! Përjetësisht i yti, Numan, Nuho, kalorësi yt Sejfullah, i cili të do më së shumti”, thuhet tutje në letër.
Megjithatë, Baliq këto i kishte quajtur montime të kundërshtarëve politikë.
Ai për T7 kishte deklaruar se e njeh vajzën dhe, sipas tij, familja e të miturës janë të afërt me rivalët e tij politikë, por për të cilët nuk ka përmendur emra.
“Rasti është shpifje, kjo nuk është e vërtetë. Unë vajzën e njoh, e kam pasur studente. Edhe familjen e saj, po ashtu, i njoh, e ata janë të afërt me rivalët e mi politikë për të cilët nuk dua të përmend emra. Po drejtësia shumë shpejt do ta zbardhë këtë rast”, ka thënë ai.
Baliq ishte suspenduar nga puna në shkurt të vitit 2019, pasi ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për sulm seksual.
Në gusht të vitit 2019, Baliq ishte liruar nga aktakuza, duke u shpallur i pafajshëm./Arbresh.info/
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...