Ka qenë një tjetër vit i humbur për Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi Shkupi ishte i ngujuar në të njëjtën dhomë pritjeje si në shumë vite të tjera të mëparshme.
Por, viti 2022 mund të jetë më i mirë, pasi tani duket se ka shpresë në Bruksel dhe kryeqytete të tjera evropiane që vendi i vogël i Ballkanit Perëndimor të mund të hapë më në fund bisedimet për pranim në BE.
Megjithatë, nëse ka një gjë që na ka mësuar historia e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në institucionet perëndimore, është se papritmas mund të ketë një pengesë të re në formën e një shteti tjetër anëtar të BE-së me kundërshtime ose zgjedhje të papritura diku për t’u luftuar, për të na penguar që të themi me siguri se ajo derë nga dhoma e pritjes në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit në BE do të hapet furishëm vitin e ardhshëm.
Pra, për vitin 2022, “mund” është ende më e besueshme se “duhet” për çdo gjë që lidhet me supozimet për perspektivat e Maqedonisë së Veriut në BE.
Pse, atëherë, ekziston një atmosferë optimizmi se Maqedonia e Veriut mund të ecë përpara vitin e ardhshëm?
Një përgjigje e qartë është se Bullgaria tani më në fund ka një qeveri pas tri palë zgjedhjeve parlamentare më 2021 dhe Qeveria e re ka bërë disa zhurma mirëpritëse.
Së pari, ajo pranoi konkluzionet e zgjerimit të BE-së tani në dhjetor, të cilat thonë se 27 vendet anëtare të BE-së “presin me padurim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Republikën e Maqedonisë së Veriut sa më shpejt që të jetë e mundur, pas miratimit të kornizës negociuese nga Këshilli”.
Mund të mos jetë një fjali që nxit pulsin dhe që angazhohet për ndonjë datë specifike, por është një hap më tej se në vitin 2020 kur nuk u ra dakord për një tekst të tillë dhe takimi në Bruksel përfundoi i ashpër pasi përpjekjet e Komisionit Evropian dhe Gjermanisë për t’i pajtuar Sofjen dhe Shkupin përfunduan me dështim,shkruan rel.
Bullgaria ende mban qëndrimin se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur pjesën e saj të traktatit të miqësis,ë për të cilën dyshja ranë dakord më 2017 dhe është ende e pakënaqur me atë që e percepton si ideologji antibullgare dhe mungesën e përparimit të një komisioni të përbashkët historik dhe arsimor të themeluar një vit më vonë për të trajtuar tema kontraverse të të dyja vendeve.
Por, kryeministri i ri bullgar, Kiril Petkov, bëri të ditur se tani ka hapësirë për një mekanizëm të përmirësuar për negociatat dypalëshe në fusha të tilla si çështjet sociale dhe ekonomike që mund të zhvillohen paralelisht me bisedimet mbi historinë dhe kulturën.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet në Sofje më 10 janar, në të cilin mund të përshkruhet një qëndrim më i qartë bullgar, por Petkov deri më tani ka aluduar për mundësinë që bisedimet e intensifikuara me Maqedoninë e Veriut mund të çojnë në rezultate në gjysmën e vitit të ardhshëm.
Kjo tingëllon premtuese, por realiteti gjithmonë mund të ndërhyjë.
Së pari, shtrohet pyetja se si do të jetë raporti i punës me atë që pritet të jetë një kryeministër po aq i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski?
Mënyra se si këta dy do ta arrijnë atë mund të jetë vendimtare në javët dhe muajt në vijim, si dhe aftësia e tyre për të ndikuar akterët në vendet e tyre përkatëse, të cilët nuk janë shumë të prirur për të përmirësuar marrëdhëniet fqinjësore.
Dhe, ka gjëra të tjera që duhet të zgjidhen – luftimi i pandemisë që është para, prapa dhe në qendër- për shembull, ose në rastin e Bullgarisë: përpjekje për të marrë një dritë jeshile nga Brukseli në planin e saj të rimëkëmbjes dhe për të ofruar rezultatet në objektivat e veta ambicioze anti-korrupsion.
Përqendrimi në shqetësime të tjera, më të menjëhershme, me fjalë të tjera thjesht mund të pengojë.
Por, kjo nuk ka të bëjë vetëm me Bullgarinë dhe marrëdhëniet e saj me Maqedoninë e Veriut. Shumë njerëz në Bruksel mendojnë se nëse ka një hapje të bisedimeve për anëtarësim në BE me Shkupin, kjo do të ndodhë në qershor të vitit të ardhshëm.
Kjo nuk është vetëm me premtimin gjashtëmujor të Petkovit në mendje, por më tepër se ajo vjen pas zgjedhjeve presidenciale franceze të planifikuara për në prill.
Parisi, i cili para Bullgarisë e ndaloi procesin gjoja sepse nuk besonte në “metodologjinë” e zgjerimit të BE-së në atë kohë, e në fakt qeveria kishte në mendje zgjedhjet lokale, ka treguar se është në rregull me dritën jeshile për fillimin e bisedimeve gjatë presidencës së saj të BE-së, gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.
Por, vlen të përmendet se kjo është linja tani.
A do të ndryshojë nëse do të ketë një president tjetër përveç Emmanuel Macronit në Pallatin Elysee gjatë verës ose nëse ai e mund ngusht një kandidat nativist?
Dhe, ndërkohë, që të gjitha shtetet e tjera anëtare të BE-së janë shprehur publikisht në favor të hapjes së bisedimeve me Shkupin, ka pasur disa që privatisht ndiheshin mjaft mirë të fshiheshin pas Bullgarisë gjatë dy viteve të fundit.
Pra, ndërsa Maqedonia e Veriut potencialisht mund të presë hapjen e bisedimeve me BE-në në vitin 2022, ata gjithashtu do të dinë se çdo vend anëtar i BE-së në çdo kohë në të ardhmen mund të bllokojë hapjen e mëtejshme të kapitujve për çështje të ndryshme, duke përfshirë çështje thjesht të brendshme, siç janë zgjedhjet.
Ja sa i brishtë është dhe do të mbetet procesi i zgjerimit.
Në vitin 2021, mësuam se disa shtete anëtare të BE-së, duke përfshirë Danimarkën, Francën dhe Holandën, nuk ishin plotësisht të kënaqur me përdorimin e fjalës “zgjerim” në deklaratën përfundimtare të samitit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Lubjanë këtë vjeshtë.
Mos prisni që ata, dhe ndoshta të tjerët, të jenë më entuziastë në vitet në vijim.
Për Shkupin, ashtu si për shpresat e tjera të BE-së në rajon, ky është një paralajmërim i qartë se çdo hap i vogël më pranë Brukselit është i mbuluar me “mund” dhe jo me “duhet”.
Trump emëroi 27-vjeçaren Karoline Leavitt si zëdhënëse të Sh...
Hoxha: Polici efektive në luftën ndaj krimit dhe e afërt me ...
Edi ka një kërkesë specifike ndaj Anisës
Drenusha vendos t’i “maltertojë” banorët e ngujuar në kafaz
Tash një muaj e zhdukur, policia kërkon ndihmë nga qytetarët...
Çeku: Mbrëmë u mbrojt shteti i Kosovës, racizmi nuk ka vend ...