Google ADS

Një shqiptare zgjedhet në Asamblenë e Derendigenit

00:53 | 22 Maj 2017
Trina Galanxhi

Kosovare Rrustemi në zgjedhjet e mbajtura sot ka arritur të futet në asamblenë e komunës Derendigen të Kantonit të Soloturnit në Zvicër.

Në zgjedhjet e kaluara për Asamblenë e komunës Derendingen të Kantonit të Soloturnit, kandidatja e SP-së, shqiptarja nga Zhegra e Gjilanit, Kosovare Rrustemi kishte zënë vendin e parë në rezervë. Ajo pastaj e ka ushtruar detyrën e saj në asamble, duke zëvendësuar kandidatin që kishte qenë para saj.

Ndërsa në zgjedhjet që u mbajtën sot, më 21 maj ajo, duke u votuar nga 556 veta, është zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë asamble, shkruan albinfo.ch

Kosovarja ka qenë po ashtu kandidate edhe për zgjedhjet në nivel kantoni, të mbajtura më 12 mars të këtij viti. Votat e fituara nuk i kishin mjaftuar.

Me zgjedhjen në Asamblenë e Derendingenit, ajo bëhet shqiptarja e parë dhe e vetme, asambliste në ndonjë komunë të Solothurnit.

Në Zvicër, në komuna të ndryshme ka një numër shqiptaresh dhe shqiptarësh të zgjedhur si asamblistë. Shumica dërmuese e tyre vijnë nga Partia Socialdemokrate (SP/PS), ashtu sikurse edhe Kosovarja, shkruan albinfo.ch. Ndërsa në parlamentet në nivel kantonesh, numri i shqiptarëve është më i vogël. Aktualisht janë gjithsej 4.

Në nivel nacional deri tash nuk ka arritur të zgjidhet asnjë shqiptar, ndonëse në zgjedhjet e vitit 2015 kishin kandiduar një numër i konsiderueshëm politikanësh të rinj shqiptarë të partive të ndryshme zvicerane.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme