Rrëmbimi i inskenuar i një të mituri dhe një rrahje e dyshimtë e një foshnje dy-ditëshe, janë dy nga rastet kur të miturit janë bërë pjesë e kronikave të zeza në Kosovë. Të dyja këto raste janë të dyshimta për një arsye: dyshohet se prindërit i përdorin fëmijet e tyre për të përfituar në kurrizin e tyre.
Njëri rast ka të bëjë me “rrëmbimin” e një 11-vjeçari në Shtime, ndërsa tjetri rast involvon prindërit dhe një infermiere që akuzohet për “rrahjen” e foshnjës dy-ditëshe.
Për 11-vjeçarin nga Shtimja, Erlis Tafën, u raportua se u kidnapua nga tre persona të maskuar muajin e kaluar, të cilët me dhunë e kishin futur në një automjet, xhip. Por vetëm disa orë pas raportimit të rastit në Polici, ai kishte arritur t’iu ikte “kidnapuesve”.
Mirëpo, krejt ky kidnapim po dyshohet se është i inskenuar nga familjarët e tij me qëllim sigurimin e 50 mijë eurove. Madje, dyshohet se familjarët e 11-vjeçarit tentuan që përmes “kidnapimit” të djalit të tyre të sigurojnë këto para, me qëllim pajisjen me viza suedeze.
Se rasti është shumë i dyshimtë, e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Përmes një komunikatë për medie, të lëshuar disa ditë pas “kidnapimit”, Policia kishte njoftuar se gjatë hetimit të rastit, intervistimit të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, nxjerrjen e video –incizimeve në disa lokacione në qytetin e Ferizajt, kanë arritur në përfundim se rasti i Erlis Tafës nuk ka të bëjë fare me rrëmbim.
Pas zbulimit të rastit nga policia, edhe 11-vjeçari e pranoi se ishte përdorur nga prindërit e tij. Tha se rasti është inskenuar nga dy djemtë e axhës së tij.
“Zbardhja e këtij rasti, i cili në masë të madhe e shqetësoi mbarë opinionin, është arritur pas sigurimit të të gjitha provave relevante, ndërkaq, sot, në prani të punëtorit social dhe të psikologes, është intervistuar i mituri, (E.T.), i cili e ka pranuar se rasti është inskenuar. Sipas tij, rastin e ka inskenuar bashkë me dy djemtë e axhës së tij, me punë në Belgjikë, (V.T.21 vjeç dhe D.T.19 vjeç)”, thuhej në komunikatën e Policisë në Ferizaj, më datë 12 prill.
Teksa nuk kanë kaluar as një muaj, sot ka ndodhur një tjetër rast që dyshohet të jetë i ngjashëm me atë të Erlis Tafës dhe familjes së tij. Të shtunën, një foshnje dy-ditëshe po dyshohet se është rrahur nga një infermiere e një prej spitaleve private në Prishtinë.
Ky rast është raportuar nga babai i foshnjës, i cili ka akuzuar publikisht infermieren Shukrane Maloku se ka goditur foshnjën e tij me shuplakë në fytyrë. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Fisnik Bujupi ka shkruar se infermierja Shukrane Maloku ka goditur foshnjën e tij me shuplakë në fytyrë.
“E kam pa me sytë e mi duke e godit vajzën time të porsalindur me shuplakë në fytyrë”, ka thënë Bujupi, i cili po ashtu e ka paraqitur rastin në Polici. “Mund ta vëreni në foto faqen e saj te gërvishtur nga thonjtë”.
Por, rasti dyshohet se është një inskenim i realizuar nga vet Bujupi – babai i foshnjës – i cili përmes raportimit të versionit të tij të ngjarjes ka për qëllim dëmtimin e imazhit të spitalit privat. Një dyshim të tillë e ka infermierja Shukrane Maloku. Ajo thotë se nuk e ka rrahur foshnjën, teksa ajo lë të nënkuptohet se foshnja është përdorur nga babai i saj.
Infermierja ka mohuar akuzat ndaj saj. Ka thënë se në momentin kur babai i foshnjës pretendon se ajo e ka rrahur vajzën dy-ditëshe, në fakt “kam qenë duke ia ndërruar pelenën foshnjës”.
“Nuk është aspak e vërtetë. Kam qenë duke ia ndërruar pelenën foshnjës dhe në këtë moment ka ardhur ai duke më akuzuar ‘pse e rrahe beben, pse ja bëre kështu’. Nuk dija asgjë për çfarë fliste”, ka deklaruar ajo për Gazetën Shneta.
Maloku rrëfen se pas kësaj ngjarjeje ka shkuar në dhomën e nënës së foshnjës. Sipas saj, nëna lehonë ka deklaruar se burri i saj është pak i stresuar dhe nervoz. Infermierja thotë se gërvishtja në fytyrën e foshnjës ka ndodhur pas akuzave të babait.
“Nëna më tha mos ta ndien se burri është pak i stresuar dhe nervoz. Në prezencë kanë qenë edhe familjarët e saj dhe vëllai i saj më ka kërkuar të shkoj në shtëpi se do ta zgjidhin vet këtë problem. Edhe ai tha se dhëndri i tyre nuk është mirë dhe është nervoz”, ka deklaruar Maloku.
Ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka ka thënë të dielën për Gazetën Insajderi, se hetimet lidhur me rastin kanë filluar.
“Lidhur me këtë rast kanë filluar hetimet dhe në pyetje janë marrë disa dëshmitar të rastit dhe tash rasti është duke vazhduar që të hetohet”, ka thënë shkurt Beka.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...