Google ADS

Një nënshkrim në hyrje të sallës, “obligimi” i deputetëve të tanishëm që morën vetëm në tetor mbi 26 mijë euro

09:06 | 12 Dhjetor 2020
Arbresh.info

I vetmi i obligim i cili po kryhet nga ta është nënshkrimi për mëditje, por jo edhe puna për çfarë janë zgjedhur nga populli.

Janë këta deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët që nga fillimi i pandemisë nuk po e shohin të arsyeshme qëndrimin në sallë.

Një nënshkrim në hyrje të sallës dhe këtu po përfundon obligimi i tyre, raporton arbresh.info.

E në momentin që duhet të votohen projektligjet të cilat janë jetike për qytetarët deputetët “zhduken”.

Në dokumentin e siguruar nga arbresh.info, në gjashtë (6) seanca sa janë mbajtur në muajin tetor, është vetëm një deputet që ka marr pjesë vetëm në një seancë, të gjithë të të tjerët figurojnë që kanë marr pjesë në të gjitha seancat e mbajtura.

Por ndonëse në letër figurojnë, mungesa e kuorumit në to ka bërë që nga të tëra 6 seancat, Kuvendi të marr vetëm shtatë (7) vendime, dhe të shtyjë 40 vendime tjera që nga muaji gusht.

E nënshkrimet e tyre në këto gjashtë seanca i kanë kushtuar buxhetit të Kuvendit hiq më pak se 26,320 € vetëm për muajin tetor.

Kjo është bërë e ditur në përgjigjen e zyrës për informim të Kuvendit të Kosovës.

“Ju njoftojmë se shuma e përgjithshme e pagesave për deputetet në këto seanca ka qenë 26,320 €”, është përgjigjur shkurt kjo zyre.

Pikërisht mungesa e deputetëve në sall po vazhdon të jetë sfidë për Kuvendin, thotë monitoruesja e Kuvendit të Kosovës,  Agnesa Haxhiu nga KDI për arbresh.info

“Kjo po ndodhë kryesisht për shkak se deputetët pavarësisht prezencës fizike në sallë nuk marrin pjesë në votim dhe është duke u përdorë si mjet nga të gjitha grupet parlamentare për të bllokuar nismat ose çështjet që iniciohen nga të tjerët por në këtë formë po bëhet Kuvendi tërësisht jofunksional”.

Madje sipas Haxhiut, do të ishte mirë që në rregulloren e punës e cila po përpilohet  të parashihet edhe sanksioni për ata persona të cilët vetëm nënshkruhen për mëditje por nuk qëndrojnë gjatë zhvillimit të seancës në Kuvend.

“Këto problematika do të mund të adresoheshin në Rregulloren e re të punës e cila aktualisht është duke u hartuar nga grupi punues. Është shumë e rëndësishme që në kuadër të kësaj Rregullore të parashihen sanksione financiare për deputetët që nuk marrin pjesë në votim ndonëse janë në sallë.”

Kjo do të ishte një prej formave që do të mund të pengonte bllokimin e punës në Kuvend ashtu siç po ndodhë aktualisht, por të atyre që mungojnë në punime pa arsye objektive dhe atyre që përfitojnë mëditjet pa qëndruar prezent gjatë gjithë kohës sa zgjatin punimet./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme