Një muaj paraburgim për vajzën që dyshohet se goditi babanë me thikë në Shtime

16:57 | 8 Maj 2024
E.G

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurës L.J., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndimi i lehtë trupor.

Sipas njoftimit të gjykatës, L.J dyshohet se më 6 maj, në Shtime dyshohet ka goditur me thikë dhe gurë babain e saj, shkruan Arbresh.info.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit të Përgjithshëm –Divizioni Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, e pandehura me datë 6 maj 2024, në Shtime, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, me dashje i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarit- prindit të saj R.J., si viktimë e ndjeshme për shkak të marrëdhënieve familjare që kanë, në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale në mes tyre, pasi që e njëjta kishte kërkuar nga i dëmtuari t`a ndërpresë telefonatën me vajzën e tij, e pandehura bëhet nervoz dhe e godet të dëmtuarin në anën e djathtë në pjesën e gjoksit, me një thikë-mjet, me të’ cilin mund t`i shkaktojë lëndime të rënda trupore ose dëmtim të rëndë të shëndetit, e pasi del në oborr dhe e godet me gurë në pjesë të trupit, i dëmtuari ka marrë tretman mjekësor dhe posedon raport mjekësor nga QKMF në Shtime.”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.”, thuhet tutje.

Me këtë rast, Gjykata Themelore në Ferizaj njofton palët se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./Arbresh.info/

Të ngjashme