Google ADS

Një muaj nga rasti i parë me COVID-19 në Kosovë, si u rrit ditë pas dite numri i të infektuarve dhe masat që u ndërmorën

09:24 | 14 Prill 2020
Arbresh.info

Më datë 31 dhjetor 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u njoftua për disa raste të pneumonisë në qytetin Wuhan, Provinca Hubei të Kinës.

Kjo situatë ngriti shqetësimin e Ministrisë së Shëndetësisë e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) duke u mobilizuar menjëherë. Bazuar në rekomandimet e OBSH dhe Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) u aktivizuan të gjithë instrumentet me qëllimin kryesor, pamundësimin e përhapjes.

Në fillim të muajit janar 2020 u fillua me përgatitjet e rekomandimeve, udhëzuesve, protokolleve dhe dokumenteve tjera për profesionistë shëndetësorë, popullatën, organizata publike dhe private, aeroportin, pikat kufitare tokësore etj.

Në fund të muajit janar 2020, Laboratori i Mikrobiologjisë në IKSHPK është pajisur me reaksione për testim në SARS-CoV-2.

Më 14 shkurt 2020, u dorëzua Plani për gatishmëri dhe reagim për Coronavirus/ COVID-19 në MSH, me mundësi të revidimit sipas situatës epidemiologjike dhe konform OBSH, ECDC, CDC.

Nga data 8 shkurt – 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.256 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.

Nga data 13 mars 2020 kur janë konfirmuar 2 rastet e para, deri me 12 prill 2020 kanë rezultuar pozitivë 362 raste.

Deri me datë 13 prill, pas evidentimit, 59 raste janë shëruar. Konsiderohen të tillë sipas protokollit të OBSH-së, pra kur 2 mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Dhe janë regjistruar 8 raste të vdekjes. Të gjitha rastet kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Përgjatë 24 orëve në IKSHPK kontaktohen dhe mbikëqyren të gjitha kontaktet e rasteve dhe kontaktet e kontakteve. Ata obligohen për vetizolim dhe këshillohen për ndihmë mjekësore nëse kan ë simptoma.

Deri me datë 13 prill janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve. Duke e përcjellur numrin e rasteve të detektuara dhe konfirmuara, vërehet tendencë e rritjes së shpërndarjes së COVID-19 në vend dhe në botë.

Resurset humane të specializuara në epidemiologji në Kosovë.

Në IKSHPK janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin (përfshirë të punësuarit në 6 qendrat rajonale). Ndërsa 5 epidemiologë të tjerë punojnë në QKMF (Në 5 komuna: Obiliq, Podujevë, Istog, Drenas dhe Viti).

Për nevojat bazike në një situatë të zakonshme nevojiteshin edhe 17 specialistë të tjerë. (5 specializantë për Epidemiologji për nivelin qendror dhe për çdo Qendër rajonale nga 2 specializantë).

Pse nevojiten epidemiologët? Ata kanë rol kyç në hulumtim e mbikëqyrje të rasteve e kontakteve me sëmundje ngjitëse. Metodat specifike të detektimit, hulumtimit e gjurmimit epidemiologjik, e bëjnà « angazhimin e tyre gjatë pandemisë të pazëvendësueshëm.

Aktualisht, me 362 raste, 4.795 kontakte, mbi 500 persona në karantinë dhe hyrjeve në pikat kufitare, numri i epidemiologëve që ka vendi është ekstremisht i ultë.

Deri tani nuk ka ngecur asnjë proces pune me kaq profesionistë sa kemi, falë gatishmërisë së tyre për të punuar pa ndalur.

Në Qendrën Operative Emergjente punojnë 10 epidemiologë. Ata mbulojnë gjithë territorin e vendit së bashku me epidemiologët e rajoneve.

Puna e epidemiologëve konsiston në: hulumtimin e kontaktimin e të gjitha rasteve të dyshimta me COVID-19, mbikëqyrjen e hyrjeve në pikat hyrëse kufitare; mbikëqyrjen e personave të karantinuar; grumbullimin-përpunimin dhe analizën-interpretimin e të dhënave; komunikimin me popullatën me rekomandime e këshilla.

Hulumtimi: Për çdo rast që referohet si i dyshimtë në COVID-19 nga Klinika Infektive, Klinikat e tjera të QKUK, spitalet rajonale, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe rastet që raportohen nga terreni, menjëherë inicohet hulumtimi i rastit dhe gjurmimi i kontakteve.

Gjurmimi: Me zbulimin e kontakteve nis gjurmimi i detajuar për lëvizshmërinë e kontaktit të kontakteve në 3 javët e fundit të tyre. Kështu mbërrihet tek burimi i infeksionit (rasti 0). Ky proces ka vështirësinë maksimale dhe merr kohë.

Çdo rast që rezulton qoftë pozitiv apo negativ, i cili nuk është i shtrirë në klinikë, mbikëqyret në vazhdimësi përmes kontaktit të përditshëm, në bashkëpunim me policinë, duke iu dhënë rekomandimet për zbatimin e masave mbrojtëse dhe duke u interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore.

Të gjitha këto informacione të marra shndërrohen në të dhëna që futen në Sistemin Alert Kosova Health, bazën e të dhënave sipas OBSH dhe bazën e të dhënave të IKShPK. Këto të dhëna përpunohen dhe analizohen për përgatitjen e raporteve të rregullta.

Çdo institucion shëndetësor dhe kryetar komune veç e veç informohet për rastet pozitive dhe negative dhe rekomandohet për ndërmarrjen e masave parandaluese dhe të kontrollit në komunat përkatëse. Informohet secila Qendër rajonale e shëndetit publik për rastet në rajonet e tyre. Raportet periodike dërgohen në institucionet ndërkombëtare (ECDC dhe OBSH).

Të dhënat e grumbulluara dhe të analizuara shërbejnë për planifikimin e terrenit për gjurmimin dhe testimin e kontakteve të afërta me rastet pozitive.

Resurset humane të specializuara në mikrobiologji në Kosovë.

Në IKSHPK punojnë 29 mikrobiologë. (Në Prishtinë – 12 vetë dhe në 6 Qendrat -17 vetë). Nevojat bazike, në situatë të zakonshme kërkojnë edhe 32 mikrobiologë të tjerë. (për nivelin qendror – IKSHPK në Prishtinë + 8 specializantë për Mikrobiologji e për çdo QRSHP edhe nga 4 specializantë). Poashtu, nevojiten edhe 29 specializantà « për Mikrobiologji Klinike në SHSKUK (5 në Prishtinë) dhe për çdo Spital të Përgjithshëm Rajonal nga 4 specializantë (gjithsej 6 SPR x 4 = 24).

Departamenti i Mikrobiologjisë gjatë periudhës 8 shkurt-13 prill 2020 ka testuar dhe vazhdon të testojë të gjitha rastet në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR.

Që nga viti 2009 Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare është i vetmi i tillë në të gjithë Kosovën.

Në laborator kanë punuar deri në fillim të pandemisë më COVID-10 vetëm dy persona: një specialiste e Mikrobiologjisë, si dhe një laborant.

Me shtimin e numrit të kërkesave për testim – janë shtuar fillimisht 2 specialiste të Mikrobiologjisë dhe 1 laborant, të cilët kanë pasur përvojë paraprake në testim me RT PCR. Dhe ditët e fundit janë shtuar dhe 3 specialiste të Mikrobiologjisë.

Kemi kërkuar ndihmë dhe nga 2 kolegë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinës, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” si dhe 1 kolegë në Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës, të cilët kanë ekspertizën e nevojshme.

Deri më tani përmes IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë janë kontraktuar 11.250 reaksione me Real Time PCR. Ndërsa, në proces të prokurimit është edhe kërkesa për 10.000 reaksione tjera, për të cilat ka filluar procedura. Poashtu, 2500 reaksione me RT-PCR janë kërkuar përmes zyrës së UNICEF-it në Prishtinë, si dhe në kërkesën adresuar zyrës së USAID-it përmes OBSH-së janë edhe 3500 reaksione.

Janë pranuar dy aparate “Real Time PCR” për shfrytëzim në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, njëri nga Fakulteti i Mjekësisë, si dhe tjetrin nga Agjencioni Kosovar për Produkte Medicinale. Dy institucione tjera, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, si dhe Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë kanë ofruar Real Time PCR aparatet e tyre për shfrytëzim në rast të nevojës.

Jemi në proces të blerjes së katër aparateve për ekstraktim automatik të acideve nukleike që është një proces i rëndësishëm për testim. Kjo përmes Zyrës së OBSH-së në Prishtinë dhe USAID-it. Si dhe 4 aparate Real Time PCR përmes zyrës së USAID-it dhe CDF-it (GFATM ). Pas 4-6 javësh kapacitetet laboratorike me aparaturë pritet të rriten dukshëm duke ju falënderuar këtyre donatorëve.

Pse nuk kryhen më shumë teste për diagnozë të infeksionit me COVID-19 në laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK?

Së pari do të ishte më mirë që të kishim pasur më shumë laboratore për diagnostikë molekulare në sektorin shëndetësor dhe më shumë personel të specializuar në këtë procedurë diagnostike. Por këto kapacitete njerëzore dhe laboratorike nuk mund të krijohen për 2-3 javë e as për 2-3 muaj. Edhe një specialisti të dedikuar për të punuar në diagnostikë molekulare i nevojiten rreth 6 mu aj për trajnim në mënyrë që të punojë i pavarur. Gjithashtu edhe kërkesat laboratorike për aparaturë dhe hapësirë të punës nuk mund të krijohen ad-hoc për shkak të kushteve shumë speifike të punës, edhe në rast së në këtë moment ka shumë nevojë për këto.

Departamenti i Mikrobiologjisë, IKSHPK, me një buxhet tejet të limituar, kryen rreth 200.000 ekzaminime të ndryshme mikrobiologjike në vit për infeksione të rëndësishme për shëndetin publik për tërë Kosovën, për pacientët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës si dhe qytetarët e rajonit të Prishtinës. Në të gjitha laboratoret ku kryhen këto shërbime punon një specialist i mikrobiologjisë dhe një laborant. Prandaj, të vendoset si cak i kritikave se pse nuk po testohen më shumë njerëz në Kosovë për COVID-19, një laborator, përkatësisht shërbimi diagnostik i sëmundjeve ngjitëse të të cilit i janë neglizhuar me vite nevojat për burime njerëzore të bër a si kërkesa të vazhdueshme, për pajisje, për hapësirë të punës, si dhe për buxhet, nuk mund të jetë aspak korrekte.

Që nga fillimi i gjendjes me pandeminë COVID-19 personeli i laboratorit është duke punuar shtatë ditë në javë, pa ndonjë orar të caktuar me afro 16 orë në ditë. Të gjitha mostrat të cilat janë pranuar deri më sot, janë testuar brenda ditës ose më së largu brenda 24 orëve që nënkupton tejkalim të kapaciteteve edhe të laboratorëve moderne evropiane. Asnjë qytetar i Kosovës që ka pasur indikacion epidemiologjik dhe që është referuar për testim nuk ka mbetur pa u testuar.

Shtetet e tjera kanë angazhuar për testim me RT PCR për diagnozë të COVID 19 të gjithë laboratorët që i disponojnë. Ndërsa te ne Laboratori i Mikrobiologjisë molekulare në IKSHPK është i vetmi i tillë në Kosovë në sektorin publik e privat shëndetësor.

Në Kosovë nuk prodhohen as teste e as aparatura për Real Time PCR. Si dhe punojmë në shtetin që ka ndarë më së paku për shëndetësi në Evropë për shumë vite me radhë.

Ndaj jemi duke iu bërë thirrje që në rast se nuk keni mundësi profesionale të na ndihmoni në këtë situatë:

Ju lutemi së paku të mos na kritikoni pa bazë, sepse është duke u dhënë maksimumi i angazhimit në rrethanat që kemi.

Çdo kritikë e pabazuar mund të jetë me ndikim në rëndimin e situatës epidemiologjike dhe në demotivimin e stafit të përkushtuar në realizimin e vëllimit të stërngarkuar të punëve në ballafaqimin me epideminë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme