Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka hapur mbledhjen e 127-të të Qeverisë me një minutë heshtje të kabinetit qeveritar, në nderim të mijëra jetëve të humbura tragjikisht nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Në emrin e tij dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve, që humbën më të dashurit në këtë fatkeqësi, ndërsa të lënduarve u dëshiroi shërim sa më të shpejtë, shkruan arbresh.info
Mbi bazën e kapaciteteve tona, do të ndihmojmë në tejkalimin e kësaj tragjedie. Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, specialistët tanë në kërkim-shpëtim urban, mjekësi emergjent dhe njësitet e K9, tashmë janë në zonat e goditura nga tërmeti, në ndihmë të institucioneve të Turqisë dhe popullit turk, u shpreh ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri:
I nderuar Kabinet Qeveritar,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Të nderuara medie,
Jemi të tronditur nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë, me pasoja jashtëzakonisht të mëdha, me më shumë se 8700 jetë të humbura tragjikisht.
Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave, të cilët humbën më të dashurit e tyre. Të lënduarve u urojmë shërim sa më të shpejtë.
Republika e Kosovës dhe populli i saj janë pranë Republikës së Turqisë dhe popullit turk, në gatishmërinë më të lartë për mbështetje.
Mbi bazën e kapaciteteve tona, do të ndihmojmë në tejkalimin e kësaj tragjedie. Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, specialistët tanë në kërkim-shpëtim urban, mjekësi emergjent dhe njësitet e K9, tashmë janë në zonat e goditura nga tërmeti, në ndihmë të institucioneve të Turqisë dhe popullit turk.
Në shenjë solidarizimi dhe nderimi me Republikën e Turqisë, dita e sotme në Kosovë, është ditë zie shtetërore.
I nderuar kabinet qeveritar,
Ju ftoj për një minutë heshtje në nderim të mijëra jetëve të humbura tragjikisht në Turqi dhe Siri.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!
KQZ ka pranuar 1 mijë e 524 kërkesa për ndërrimin e qendrës ...
Osmani takon kryeministrin britanik, temë diskutimi ishte ma...
Vdes pjesëtarja e Policisë së Kosovës, Shqipe Zenelaj
Gërvalla takon homologun nga Lituania, në fokus situata e si...
Haradinaj takohet me ambasadorin e Italisë në Kosovë, bisedo...
Nga “gruaja e akullt” te Elon Musk, emrat që mund të përbëjn...