Një javë para intervistimit të komandantëve në Hagë

17:26 | 7 Janar 2019
Arbresh.info

Shumica e të ftuarëve nga Prokuroria Speciale apo siç po e quajnë Gjykata Speciale, me 14 janar do të duhet të jenë në Hagë për të dhënë dëshmitë e tyre apo për intervistim.

Deri më tash asgjë zyrtare nga isntitucionet e Kosovës nuk ka, pos deklaratave gojore të disa personave të ftuar e avokatëve mbrojtës të tyre.

Tashmë dihet se disa komandantë e ushtarak me 14 janar do të jenë në Hagë për tu intervistuar, por që akoma nuk është e qartë se kush do të jenë të gjithë.

“Zyrtarisht nuk kemi asnjë informacion zyrtar sesa persona janë ftuar e do të ftohen nga Specialja. Këtë e di vetëm Zyra e prokurorisë speciale”, ka thënë për “SyriKosova” Driton Lajçi, shef i zyrës për Mbrojtjen Juridike për të akuzuarit potencial nga Gjykata Speciale.

Ai ka shtuar se akoma nuk ka ndonjë aktakuzë, pos ftesave. Të gjithë të ftuarit janë publik e të gjithë janë të pafajshëm deri në shpalljen e aktgjykimeve.

Shefi i zyrës për Mbrojtjen Juridike për të akuzuarit potencial nga Gjykata Speciale, thotë se 2019 do të jetë vit shumë i vështirë sidomos për personat e dyshuar.

Do të ketë reagime të shumta si nga familjarët, miqtë e të tjerët. Ai shtoi se do të ketë pakënaqësi të mëdha.

Avokati Arianit Koci, tregon për “SyriKosova”, se është angazhuar si mbrojtës i Rrustem Mustafës e Sami Lushtakut, të cilët kanë pranuar ftesat që me 14 janar të paraqiten në Hagë.

“Me autorizimin e klientëve të mi, ju njoftoj se kanë pranuar ftesat që me 14 janar 2019, të paraqiten pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë. Këto janë ftesa për intervistim”, tha avokati.

Mbrotjësi i dy ish-komandantëve, njëri nga Llapi e tjetri nga Drenica, tregoi se Rrustem Mustafa e Sami Lushtaku, do të paraqiten vullnetarisht dhe janë të gatshëm të sqarojnë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar.

Nga ana tjetër ish-luftëtari Sabahajdin Cena, ka treguar se është ftuar nga Gjykata Speciale që me 14 janar të paraqitet atje për intervistim, por nuk është në dijeni nëse do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit apo të të dyshuarit nga prokurorët.

Edhe ish-luftëtari Remzi Shala, është ftuar nga Specialja, por që ai është arratisur nga koha kur atij i erdhi ftesa për intervistim.

Avokati i tij, Natal Bullakaj, ka thënë se, as ai e as familja nuk janë në dijeni për vendndodhjen e klienttit të tij.

Avokati Tomë Gashi, tha për “SyriKosova”, se kanë tre klientë për të mbrojtur në Gjykatën Speciale me të cilët janë në negociata, por që tha se nuk do ti tregoj emrat e tyre, pasi që janë në proces të marrëveshjes.

“Publike nuk mund ti bëjë emrat, për shkak se është konfidencialitet derisa ne nuk kemi ftesë zyrtare nga prokuroria, të cilat duhet të jetë në formë të shkruar, duhet paraqitet materiali që prokurori do ti intervistoi klientët tanë”, tha Gashi.

Avokati tha se besoj që asnjëri nga klientët e tij e që janë të profilit të lartë, nuk do të gjindet në paraburgim në Hagë e të cilët janë ushtarë e komandantë të UÇK-së.

Nga ana tjetër thuhet se ftesa kanë marr edhe disa persona të tjerë por që nuk janë bërë publike, duke mbetur sekret, deri në intervistimin e tyre me 14 janar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme