Një javë nga takimi i pesëshes diplomatike me Kurtin, Abdixhiku fton kryeministrin ta prezantojë draftin në Kuvend

11:40 | 28 Tetor 2023
K.B

Sot bëhen një javë që nga dorëzimi i Draftit të Statutit të Asociacionit nga pesëshja e emisarëve tek kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Me këtë rast kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se nga ajo ditë Kosova dhe populli i Kosovës janë në terr të plotë informativ.

Abdixhiku tha se tre ditë më parë, ky dokument u pranua për herë të parë nga Kurti, pasi s’kishte më herët një të tillë dhe kurrë më parë sipas Abdixhikut, s’kishte arritur kaq larg, teksa Kurtin e quajti arkitekt të mashtrimit.

“Ato, arkitektit të mashtrimit, dhunës e përplasjeve një dekadëshe ndërshqiptare i përcaktojnë fatin e bërjes së Statutit të Asociacionit për serbët dhe kështu zhbërjes së kauzës jetësore të tij. Çfarë fati i trishtë politik. Fati i tillë megjithatë nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka të kuptojmë atë që duhej ta kuptonim një dekadë më parë. Se obligimet ndërkombëtare nuk kanë alternativë. Se dalldisjet populliste janë veçse përkeqësim. Se Asociacioni nuk mund të shmangej si detyrim. Vetëm se humbëm kohë, humbëm mundësi, përfunduam aty ku ishim në fillim. Këtë herë pa njohje, pa marrëveshje finale, e përplot dialog në vazhdimësi”, shkruan ai.

Ai ftoi institucionet e vendit të shpalosin draftin e pranuar publikisht para qytetarëve, si dhe e ftoi edhe Kurtin ta prezantojë draftin në Kuvend.

“I ftoj institucionet e vendit të shpalosin draftin e pranuar publikisht para qytetarëve tanë. E ftoj kryeministrin ta prezantojë atë draft në Kuvend. Koha të bëjmë Kosovën. Pa mashtrues e popullistë! Janë të kushtueshëm, na humbin kohë e na lënë në vendnumërim. Koha të ecim me aleatë. Drejt NATO-s e Bashkimit Evropian”, përfundoi Abdixhiku./Arbresh.info/

Të ngjashme