Një ditë pas tensioneve në veri situata atje është e qetë

08:00 | 27 Maj 2023
K.B

Pas tensioneve të djeshme në veri të vendit situata sot është e qetë.

Këto tensione erdhën pasi kryetarët e rinj të partive politike shqiptare, të premten, shkuan në ndërtesat e komunave për të filluar punën gjë që shkaktoi zemërim te disa qytetar serbë.

Megjithatë pas një dite të gjatë dje në atë pjesë, Policia e Kosovës, mbrëmë vonë, ka njoftuar se situata është qetësuar, ndërkaq do ta vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim, raporton rtk

Policia ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha masat policore për të parandaluar çdo veprimtari kriminale që mund të paraqitet në atë pjesë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur dje në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, për të diskutuar në lidhje me situatën në vend.

Ai, në këtë takim me komandantin e KFOR-it, Ristuccia, ka theksuar se “kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka vlerësuar legjitime veprimet e Policisë së Kosovës, e cila, më 26 maj, u ka mundësuar kryetarëve të rinj të komunave veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të hyjnë në objektet e zyrave komunale.

Për zhvillimet e djeshme në veri të Kosovës, kanë reaguar zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së , të cilët kanë dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës.

Edhe shtetet e QUINT-it kanë dënuar vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës të kryetarëve të sapozgjedhur të komunave.

Kurse në deklaratën e tyre vendet e QUINT-it theksuan gjithashtu se ndjehen të shqetësuar nga vendimi i Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën. Ato i kanë bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin retorikën nxitëse.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme