Një delegacion nga SPAK vizituan Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

13:45 | 24 Dhjetor 2024
E.G

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i shoqëruar nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj, nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, si dhe nga prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kanë pritur sot në takim pune një delegacion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga kreu i kësaj prokurorie, z. Altin Dumani.

Kelmendi i njoftoi të pranishmit me mënyrën e funksionimit, strukturën organizative dhe kompetencat e Prokurorit të Shtetit, në përgjithësi e konkretisht për kompetencat e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe për sfidat dhe të arriturat e këtij institucioni, shkruan Arbresh.info.

Gjatë këtij takimi pati diskutime të frytshme lidhur me ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimit dhe efikasitetit në luftën kundër krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit në të dyja shtetet, si dhe pati diskutime për çështje të tjera profesionale me interes të përbashkët.

Po ashtu në këtë takim u diskutua edhe për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes nënshkrimit të memorandumeve, si dhe për formimin e ekipeve të përbashkëta të hetimit me qëllim të luftimit të të gjitha formave të krimit./Arbresh.info/

Të ngjashme