Mijëra qytetarë të besimit islam në Kosovë sot kremtojnë festën e Fitër Bajramit.
Muaji i shenjtë i Ramazanit, muaji i agjërimit, i lutjes dhe sakrificës përfundoi.
Mëngjesi i së mërkurës besimtarët mysliman i gjen në xhami duke falur Bajramin.
Siç e do tradita, për drekën e Bajramit përgatiten disa ushqime tradicionale të shqiptarëve.
Nuk mund të quhet festë e plotë, nëse në sofër nuk vendosen ëmbëlsira tradicionale, siç është Bakllava e cila ia shton ëmbëlsinë e kësaj feste.
Hyla Hakaj në Prishtinë, merret me gatimin e Bakllavasë tash e disa vite.
Tezja Hylë, ashtu siç e quanin të gjithë, me precizitetin më të lartë shpjegonte punën e përgatitjes së një bakllave sa më të mirë.
“Së pari bëhet brumi, me vezë, qumësht edhe pak vaj. Brumi bëhet kështu, duhet pasur shumë kujdes mos me qenë as shumë i fortë, as shumë i butë por një mesatare dhe tëhollohen petë si gjithmonë edhe i qesim në tepsi”, shpjegoi ajo.
“Së pari lyhet tepsia dhe i rendisim petët”, shtoi Hyla.
Ajo po ashtu tregoi edhe gabimet më të shumta që bëhen gjatë përgatitjes së një bakllave.
“Gabimet mund të ekzistojnë edhe te fillimi, por gabimet më së shumti janë te pjekja edhe te sherbeti, gabimet më të mëdhaja janë aty. Mirëpo mund të bëhen gabime edhe këtu, te petët, duhet të qiten, të numërohen për shkak se mos me qenë bakllava edhe shumë e trashë por as e hollë domethënë i kemi petët gjithmonë të numëruara”, u shpreh ajo.
Sipas saj, 75 petë janë të mjaftueshme për një bakllavë të mirë.
Sekreti i suksesit të gatimeve të Hylës qëndron te produktet e cilësisë së lartë të cilat përdoren për përgatitjen e tyre.
“Produktet i kam gjithmonë me cilësinë më të lartë dhe i blej me cilësi më të shtrenjtat, gjithçka që marr, e marr më të shtrenjtë për të qenë mirë, natyrisht edhe kujdesi është shumë, bile më shumë së shumti është kujdesi. Duhet shumë të kemi kujdes në pjekje, sherbet sidomos sepse ti e bën krejt e pjek nëse sherbetit nuk ja qëllon, bakllava dështon”, tha ajo.
Pas pesë rendesh petë, vendosen arrat.
Hyla tregon se sasia duhet të jetë e mjaftueshme.
“Preferohet mjaftueshëm se nëse ti veç i qet shumë, disa kërkojnë shumë, nëse kërkojnë disa sa i qes unë edhe njëherë, atëherë çmimi ndryshon, mirëpo unë nuk kisha thanë sepse kur qet shumë, gjysma edhe bijn, nuk rrinë, bijn në sherbet. Dikush kërkon dy rena, prapë më mirë dy rena, se sa mi qit një vend e shumë”, tha ajo.
Ajo thotë se numri i kërkesave për bakllavë është dyfishuar duke shtuar se porositë kanë filluar që para një muaji.
Madje, siç tha ajo, porosi ka pasur edhe gjatë muajit të Ramazanit ku janë porositur deri në 7 bakllava.
Ajo përgatit edhe gatime të tjera si mantia e flija mirëpo bakllavën thotë se e ka specialitet dhe e punon me plotë pasion e dashuri.
Madhësia e bakllavës e cila kërkohet më së shumti edhe për Festën e Bajramit është ajo e mesmja.
“Te kjo copat dalin barabartë”, tha ajo.
Pas vendosjes së arrave, vijmë te pjesa e fundit e cila është prerja, të cilën Hyla preferon të jetë në formën e lules.
Pas prerjes vjen gjalpi.
“Edhe te prerja duhet të kemi kujdes me qenë prerja e mirë, estetike. Së pari duhet të jetë e shijshme mandej estetika është.”, u shpreh ajo.
Ankesa për bakllava tha se merr pak por edhe ato që i merr janë të vogla.
“Ndodh që i marrin me qindra porosi, ndodh që asnjë ankesë nuk e kam, ose ndoshta thotë sherbet mos ka mbetur pak më i trashë apo më i hollë.”, u shpreh ajo.
“Prerja si lule është e preferuara ime sepse ajo katrorja, gjithkush e bën atë, po nuk di, kjo më pëlqen më shumë dhe më shumë copa dalin me këtë” , tha ajo.
Çmimi i kësaj bakllave është 45 euro.
Pas prerjes dhe lyerjes me gjalpë vijmë te procesi i pjekjes.
“Së pari e kemi leshu furrën për me u nxeh, por jo temperatura e lartë shumë, se veç bakllava menjëherë djeget, por një temperaturë mesatare diku 150 gradë e kemi lëshuar me fillim, tani e shohim kur te merr ngjyrën bakllava tani ja ulim diku rreth 100-120 gradë. Kjo derisa të merr ngjyrën rrinë diku deri në një orë, e merr ngjyrën dhe pastaj rrinë deri sa të pjekët tërësisht edhe brenda edhe jashtë”, shpjegoi Hyla.
Pas katër orë e gjysmë, bakllava është pjekur.
Pastaj vjen vendosja e sherbetit.
“Sherbeti duhet të jetë i nxehtë, bakllava e ftoftë. Kur e mbaron sherbetin krejt, atëherë kryhet procedura e bakllavës, tani veç duhet me lan mu ftoh bakllavën.”
“Duhet të kemi kujdes që deri sa të zihet sherbeti, mos me u zi shumë, mos me u bë shumë i trashë ose edhe me lan pa zi me u bë sherbeti i hollë. Krejt është te zierja e sherbetit.”, bëri të ditur Hyla.
“Unë i qes sheqer, dy sheqer edhe dy ujë edhe e vlojmë.”, tha ajo.
Pas gjithë kësaj procedure bakllava është gati për shërbim.
Në fund ajo uroi të gjithë besimtarët myslimanë festën e Fitër Bajramin.
Ndryshe, ëmbëlsira më e përdorur në familjet myslimane është bakllavaja, por nuk përjashtohen edhe ëmbëlsira të tjera./Arbresh.info/ Erolinda Gashi/
Rama uron ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i ...
Pas tërheqjes së Matt Gaetz, Trump emëron Pam Bondin për pos...
Horoskopi, çfarë kanë parashikuar yjet për shenjën tuaj sot