Nita Shala emërohet ambasadore e Kosovës në Itali

17:45 | 15 Korrik 2024
E.G

Ish-zëvendësministrja e Drejtësisë Nita Shala, është emëruar ambasadore e Kosovës në Itali.

Kështu bëri të ditur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me anë të një postimi në “X”.

Osmani tha se ajo “profesioniste e dalluar juridike”, shkruan Arbresh.info.

“Unë e njoh Nitën profesionalisht për rreth dy dekada dhe nuk kam dyshim se ajo do t’i shërbejë vendit të saj me nder”, shkroi ajo.

“I uroj suksese në detyrën e re, me besim se do të punojë në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Italisë, aleat i rëndësishëm dhe i kahershëm i vendit tonë”, shtoi ajo.

Shala kishte shërbyer si zëvendësministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti 1.

Ajo po ashtu ishte koordinatore nacionale për parandalimin e dhunës në familje.

Këtë pozitë e kishte marrë në mars të vitit 2020.

Ajo është doktor shkencash në drejtësi nga Graduate Institute-Geneva.

Nita Shala është avokate me eksperiencë profesionale në institucione ndërkombëtare. Ajo ka punuar edhe në zyrën e OKB-së në Gjenevë, për ta këshilluar ambasadën e Republikës së Shqipërisë në proceset e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, në zyrën e Prokurorit në Tribunalin e Hagës, e angazhuar në Prokurori kundër Vojislav Sheshel dhe kundër Vlastimir Xhorxheviq, dhe mbështetje ndërkombëtare në EURALIUS dhe PAMECA V në Shqipëri si ekspert ligjor i procesit të implementimit të reformës dhe themelimit të institucioneve të reja në drejtësi.

Nga viti 2018, punon në Katedrën Penale në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës, në lëndët e drejta penale dhe e drejta penale ndërkombëtare”./Arbresh.info/

Të ngjashme