Google ADS

NISMA propozon 20 shtyllat për procesin e dialogut Kosovë-Serbi

15:20 | 13 Tetor 2020
Arbresh.info

NISMA Socialdemokrate ka reaguar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Për këtë kjo parti ka propozuar disa shtylla kryesore për zhvillimin e procesit të dialogut.

Sipas tyre mbyllja e procesit final Kosovë-Serbi duhet të bëhet me njohje reciproke, shkruan Arbrsh.info.

 

Këto janë njëzet shtyllat e propozuara nga NISMA

Jemi në përfundim të dekadës së parë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, dhe, përkundër përpjekjeve për të përmbyllur këtë proces, gjërat kanë ngecur në vend.

Që të kuptohen arsyet e ngecjes së këtij procesi, NISMA Socialdemokrate e sheh të udhës të nxjerr në pah shtyllat kryesore të zhvillimeve rreth kësaj çështjeje.

  1. Ndërhyrja e NATO-s për t’i dhënë fund zbatimit të gjenocidit të shtetit serb në Kosovë krijoi një dinamikë të re në marrëdhëniet ndërkombëtare. Karta e Kombeve të Bashkuara, si burim bazë i të drejtës ndërkombëtare, ia ngarkon Këshillit të Sigurimit të OKB-së misionin e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në botë. Në përputhje me këtë mision, Këshilli i Sigurimit ndërmori një varg aktivitetesh diplomatike. Mjafton të përmendim se marrëveshja për përfundimin e luftës në Kosovë është rezultat i një procesi politik të ndërmarrë nën patronazhin e Këshillit të Sigurimit. Më 2 qershor 1999, në Beograd u nënshkrua “Plani i Paqes”, i përpiluar nga G8 dhe i mbështetur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Nëpërmjet këtij “Plani të Paqes”, Jugosllavia u detyrua t’i jepte fund dhunës dhe represionit në Kosovë, dhe të fillojë tërheqjen e plotë dhe të forcave të saja nga Kosova.
  2. Krahas “Planit të Paqes”, në Kumanovë, më 9 qershor 1999, përfaqësuesit e NATO-s nënshkruan “Marrëveshjes Ushtarako-Teknike”, që përcaktoi modalitetet e tërheqjes së forcave jugosllave dhe vendosjen e forcave të mandatuara nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së (KFOR).
  3. Pas nënshkrimit të “Planit të Paqes” në Beograd dhe “Marrëveshjes Ushtarako-Teknike”, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, më 10 qershor 1999, miratoi Rezolutën 1244, përmes të cilës përcaktohej korniza e prezencës civile dhe e sigurisë në Kosovë deri në përcaktimin e statusit politik përfundimtar. Në instancën më të lartë të institucioneve ndërkombëtare këto marrëveshje i dhanë fund luftës në Kosovë! Miratimi i Rezolutës 1244 nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i dha vulën ndërkombëtare kësaj marrëveshje.
  4. Një gjë duhet ta kemi të qartë: vendimet e Këshillit të Sigurimit, që zakonisht emërohen edhe me termin Rezoluta, janë vendime obliguese për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Vendimet që i imponuan Serbisë tërheqjen e forcave të veta ushtarake, policore dhe politike nga Kosova, e që përmblidhen në Rezolutën 1244, janë vendime të rangut më të lartë të së drejtës ndërkombëtare lidhur me paqen dhe sigurinë e kësaj pjese të Evropës. Përmes vendimeve të përfshira në rezolutën 1244, institucioni më i rëndësishëm i të drejtës ndërkombëtare përcaktoi praninë e forcës ndërkombëtare të sigurisë që do të vendoset dhe do të veprojë në Kosovë.
  5. Krahas forcës së sigurisë që duhej të garantonte pamundësimin e shpërthimit të konflikteve të armatosura, Këshilli i Sigurimit përcaktoi edhe prezencën civile ndërkombëtare që do të mbështeste procesin e krijimit të një autonomie dhe vetëqeverisjeje përmbajtësore, deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit politik të Kosovës. Dhe ashtu ndodhi. Për më shumë se 5 vjet rresht prezenca civile ndërkombëtare përgatiti institucionet politike të Kosovës që do të mund t’i udhëhiqnin bisedimet për statusin final të saj.
  6. Në seancën e 24 tetorit 2005, Këshilli i Sigurimit mbështeti raportin e përpiluar nga i dërguari special Kai Eide dhe u pajtua se përcaktimi i statusit final të Kosovës ishte i domosdoshëm. Në përputhje me këtë vendim, Martti Ahtissari dhe Albert Rohani ishin të ngarkuarit zyrtarë për të udhëhequr bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës duke përcaktuar edhe parimet mbi të cilat duhej të mbështeteshin bisedimet. Në këtë kontekst vlen të theksohet se në parimet orientuese të Grupit të Kontaktit u theksua në mënyrë të qartë se “rregullimi i statusit të Kosovës duhet të konsolidojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, duke garantuar në këtë mënyrë që Kosova të mos kthehet në gjendjen e para marsit të vitit 1999”. Çdo zgjidhje e njëanshme që rezulton nga përdorimi i forcës nuk do të jetë e pranueshme. Nuk do të ketë ndryshime të territorit të tanishëm të Kosovës, që do të thotë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se nuk do të ketë bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër apo me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve regjionalë do të respektohet plotësisht”.
  7. Pas bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që zgjatën më shumë se një vit, në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të datës 26 mars 2007, Ban Ki-moon-i, shtroi për shqyrtim “Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, që ishte përgatitur nga Martti Ahtisaari dhe ekipi i tij. Në “Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës” Martti Ahtisaar-i dhe ekipi i tij theksuan “bindjen e fortë se ishin shterur të gjitha mundësitë që të gjendej një rrugëdalje e negociuar dhe e pranueshme nga të dyja palët. Vazhdimi i bisedimeve, në cilëndo formë qoftë, nuk do të mundësonte të dilej nga ky qorrsokak. Ka ardhur koha që të rregullohet statusi i Kosovës! Prandaj, duke shqyrtuar historinë e re të Kosovës dhe realitetin e tanishëm dhe duke zhvilluar negociata me të dyja palët, kam arritur te përfundimi se opsioni i vetëm i qëndrueshëm për Kosovën është pavarësia e saj. Fillimisht kjo pavarësi duhet të jetë e mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare.”- shkruan në fund të raportit të Martti Ahtisaarit dhe ekipit të ngarkuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
  8. Në përputhje të plotë me “Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur.
  9. Shpallja e pavarësisë së Kosovës bëri që Serbia dhe mbështetësit e saj ta shtrojnë çështjen në kuadrin e institucioneve më të larta të drejtësisë ndërkombëtare. Më 8 tetor 2008 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën përmes së cilës kërkoi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendim lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Konkretisht, kësaj gjykate iu kërkua që t’i përgjigjej pyetjes: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?”.
  10. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin e vet se akti “i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare”.
  11. Të gjitha aktet e të drejtës ndërkombëtare lidhur me Kosovën, duke filluar nga “Plani i paqes”, “Marrëveshja Ushtarako-Teknike” dhe Rezoluta 1244, janë vendime që përbëjnë Traktatin ndërkombëtar për paqen në Kosovë. Vendimi i institucionit më të lartë të drejtësisë ndërkombëtare, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e vulosi të drejtën e Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran.
  12. Përkundër asaj se ishte diplomacia serbe ajo që ndërmori iniciativën për të kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Serbia jo vetëm që nuk përmbushë obligimet që i dalin si shtet nga e drejta ndërkombëtare duke vazhduar të mos pranojë vendimet e kësaj gjykate, por ka ndërmarrë një fushatë të egër diplomatike për zhbërjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Kjo fushatë e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës inkurajon forcat reaksionare dhe luftënxitëse në Serbi për të mbajtur nën kërcënim të vazhdueshëm paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të Evropës.
  13. Fatkeqësisht, përveç Serbisë, janë edhe pesë shtete të BE-së që nuk respektojnë vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Në të gjitha takimet e përfaqësuesve të NISMËS Social-demokrate me përfaqësuesit e BE-së është theksuar se sjellja e tillë e pesë shteteve të Bashkimit Evropian perceptohet si inkurajim i Serbisë për të mos njohur realitetin e ri dhe ndikon drejtpërdrejt në vështirësitë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dy shteteve të pavarura që synojnë integrimin në BE.
  14. Duke e konsideruar dialogun e mirëfilltë si mjet të patjetërsueshëm për krijimin dhe ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, shteti i Kosovës është angazhuar seriozisht në Dialogun për Normalizimin e Marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
  15. Që nga fillimi i këtij dialogut ndërshtetëror në vitin 2011, Serbia ka bërë të gjitha përpjekjet e veta për të sabotuar përmbylljen e çështjeve të hapura gjatë këtyre bisedimeve dhe, në këtë mënyrë, të ruajë status kuonë në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.
  16. Mosrespektimi i marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe diplomacia agresive për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe tërheqjen e shteteve nga vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës e mbushën kupën dhe detyruan qeverinë e Kosovës të vendosë taksën për mallrat që vinin nga Serbia.
  17. Kjo masë e Qeverisë së Kosovës shërbeu si pretekst që Serbia të ndërpriste pjesëmarrjen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të vazhdonte politikën e vet destruktive kundër Kosovës.
  18. Në vend që të shihej gjeneza e problemeve në marrëdhëniet e Kosovës dhe të Serbisë, shteti jonë u ballafaqua me presione të mëdha për të hequr masat e vendosura kundër Serbisë dhe t’i hapet rrugë fazës finale të përmbylljes së procesit të dialogut me njohjen reciproke nga të dyja shtetet.
  19. Për t’i dhënë shansin dialogut, qeveritë e Kosovës hoqën taksën ndaj mallrave serbe dhe masat reciprocitetit ndaj Serbisë. Për fat të keq Serbia vazhdon me avazin e vjetër duke u përpjekur që ta kthejë dialogun nga faza finale ku duhet të përmbyllet me njohjen e shtetësisë së Kosovës, në bisedime për çështje teknike.
  20. Heqja e taksës ndaj mallrave serbe dhe e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë është bërë me qëllim që t’i jepet mundësi finalizimit të dialogut e jo të kthimit në bisedime për çështje teknike, të cilat krijojnë iluzionin e përpjekjeve për të gjetur zgjidhje dhe si të tilla i leverdisin Serbisë në rrugëtimin e saj drejt integrimeve në BE.

Bisedimet e pa afatizuara kanë për qëllim ruajtjen e status kuosë dhe, si të tilla, paraqesin rrezik për paqen dhe stabilitetin në këtë pjesë të Evropës. Për këtë arsye, NISMA Socialdemokrate kërkon nga vendet e BE-së dhe nga SHBA-të, si ndërmjetësues të këtij procesi, që t’i japin fund logjikës serbe të zvarritjes së kësaj çështjeje në mënyrë që procesi i dialogut të përmbyllet shpejt me njohje reciproke mes dy shteteve! Kjo do t’i kontribuonte forcimit të stabilitetit në rajon dhe do të ishte në interes të paqes dhe proceseve integruese euro-atlantike!

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme