Qeveria e Kosovës është duke e analizuar situatën në Telekomin e Kosovës pas raportimit të anëtares së Bordit të kësaj ndërmarrja publike se për shkak të humbjeve gjendet në krizë financiare.
Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë për Telegrafin, se janë në fazën fillestare të vlerësimit të situatës në Telekom. Sipas tij, pas vlerësimit të gjendjes do të merren masa.
“Duhet të gjenden përgjegjësit që e kanë shkaktuar këtë situatë, duhet ta analizojmë situatën, çfarë mund të bëhet që gradualisht me anë të forcave të veta dhe me përkrahje ta ringjallim Telekomin”, tha për Telegrafin, Shatri.
Sipas tij, nuk duhet të lehet falimentimi i Telekomit të Kosovës.
“Sot është herët të thuhet se çfarë masa duhet të merren, por janë duke u përpunuar ato të dhëna. Ne nuk jemi që të mbyllet ajo, nëse ka ndonjë mundësie ndalese, ne jemi për ta mbështetur Telekomin që të vazhdoj punën, sepse aty janë disa mijëra të punësuar dhe shërbimet që na ofrohen nga ajo”, tha ai.
Ndryshe, anëtarja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri-Berisha, në raportimin e saj para kabinetit qeveritar, ka thënë se kjo ndërmarrje publike gjendet në krizë financiare, për shkak të borxheve në vlerë prej 60 milionë euro.
Sipas saj, të hyrat kanë shënuar rënie, ndërsa investimet janë ndërprerë të gjitha.
“Nëse nuk intervenohet shpejt, Telekomi falimenton shpejt, sepse borxhet janë të mëdha”, ka thënë Shatri-Berisha, shkruan Telegrafi.
Deputeti i LDK-së dhe njëherësh Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, Lumir Abdixhiku, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se po falimenton edhe një kompani e pafalimentueshme.
“Në vitin 2018, Telekomi është në prag të falimentimit. Kërkon 60 milionë euro ndihmë nga Qeveria si shpëtim. E përkundër humbjeve enorme që PTK ka sot, qindra individë militantë të koalicionit qeverisës vazhdojnë të punësohen aty. Me dhjetëra e dhjetëra secilën ditë. Zaptimi këtë ka. Falimenton edhe një kompani të pafalimentueshme!”, ka shkruar Abdixhiku, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, për shkak të aferave korruptive ishte tërhequr Deutsche Telekom nga procesi i privatizimit të kësaj ndërmarrje.
“Në vitin 2011, kompania gjermane ‘Deutsche Telekom’, interesohej të privatizonte PTK-në për 600 milionë euro. Ishte tërhequr gjatë procesit konkurrues për shkak të aferave korruptive aty. 600 milionë euro mjaftonin të sillnin shumë gjëra në rend, e emri i ‘Deutsche Telekomit’ jepte siguri për shumë investitorë të tjerë”, tregon Abdixhiku.
Po ashtu, deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Molliqaj, ka thënë se pothuajse të gjitha ndërmarrjet shtetërore janë shkatërruar dhe kanë humbur vlerën pasi janë privatizuar.
Molliqaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “e njëjta po ndodhë tash edhe me PTK-në të cilën nga një ndërmarrje me profit, e shndërruan në një ndërmarrje që nuk i mbulon as shpenzimet e veta”.
“Pothuajse të gjitha ndërmarrjet publike e shoqërore në Kosovë, fillimisht i kanë shkatërruar qëllimisht për t’ua humbur vlerën e pastaj i kanë shitur. E njëjta po ndodhë tash edhe me PTK-në të cilën nga një ndërmarrje me profit, e shndërruan në një ndërmarrje që nuk i mbulon as shpenzimet e veta”, ka shkruar Molliqaj, përcjell Telegrafi.
Ai thotë se politikat e mbrapshta ekonomike humben dhjetëra mijëra vende pune.
“Këto politika të mbrapshta ekonomike që humbën dhjetëra mijëra vende pune duke privatizuar gjithçka shpejtë e lirë, duhet të ndërrohen sa më parë. Ndërmarrjet publike mund dhe duhet të menaxhohen mirë dhe të mbesin pronë e përbashkët e qytetarëve”, ka shkruar ai.
Telekomi i Kosovës dy herë i është nënshtruar procesit të privatizimit, por dy herë radhazi Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbyllë me sukses këtë proces.
Por më 2010 Telekomi i Kosovës kishte paguar 80 milionë euro dividendë në buxhetin e shtetit.
Në vitin 2011 nga fitimet e krijuara Telekomi ia kishte ndarë Qeverisë së Kosovës 55 milionë euro, 45 milionë euro në vitin 2012, 40 milionë euro në vitin 2013, nga 15 milionë euro gjatë viteve 2014 dhe 2015.
Kurti dhe Nagavci takuan studentët përfitues të bursave nga ...
Rizvanolli nesër takon përfaqësues të KOSST dhe KEDS-it
Liverpool në kërkim të shkëputjes në tabelë përballet me Lei...
Cunha i shënon gol direkt nga korneri Man Unitedit
Akanji flet për çështjen e titullit kampion: Tani nuk është ...
Vullneti: Gjesti po luan me Drilonin që të e fitojë vendin n...