Nisin hetimet për 6 vdekjet e dyshimta në QKUK

23:33 | 6 Korrik 2020
L G

Arkivol me kufoma mëngjesin e hershëm të së dielës, u nxorën nga Infektiva. Të gjitha këto viktima, ishin konfirmuar pozitiv me virusin korona.

Kjo situatë, mobilizoi Policinë e Kosovës e Prokurorinë, të cilët u drejtuan menjëherë tek Klinika Infektive.

Por numri i saktë i vdekjeve, nuk u konfirmua deri në orët e vona të së dielës nga institucionet përkatëse.

E njëjta u mor vesh kur IKSHPK publikoi se numri i vdekjeve ka shkuar në 75, e që ishin 9 vdekje brenda 24 orëve

Megjithatë, një ditë pasi ndodhi e gjithë kjo Policia konfirmoi nisjen e hetimeve për 6 vdekje të dyshimta.

Dyshimet për shkakun e vdekjes së pacientëve me Covid-19 , besohet se u  ngritën për shkak se vdekjet ndodhën brenda një harku të shkurtër kohor.

Në mesin e  viktimave nga virusi korona ishte edhe një 70 vjeçar.

Arbnore Kryeziu Rama ka treguar për T7 se kur babai i saj 70 vjeçar vdiq në QKUK, me të ka qenë vëllai i saj.

Sipas saj, vëllai i ka lajmëruar ata për vdekjen e babait, derisa orët e para të së dielës kishin shkuar të merrnin kufomën, por aty hasën në probleme.

E kjo ishte arsyeja që ngjalli dyshime tek familjarët, ani pse babai i tyre kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

E për vdekjet e dyshimta si dhe situatën e rëndë me pandeminë nëpër të cilën po kalon vendi, janë shprehur të shqetësuar edhe Shoqata për Mbrojtjen e të drejtave të pacientëve.

Përfaqësuesi i kësaj të fundit, ka thënë se në takimet që janë mbajtur nga komiteti për menaxhimin e shëndetësisë, nuk kanë qenë të ftuar.

Kodra ka treguar se ka pasur pacientë që janë ankuar për shërbimet në klinikat e QKUK-së.

Për 48 në Kosovë, 17 persona gjetën vdekjen si pasojë e virusit corona, pjesa më e madhe e të cilëve, kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme