Google ADS

Nisin hetimet ndaj policëve që arrestuan Gjuriqin

08:52 | 24 Prill 2018
Arbresh.info

Të gjithë policët që kanë marrë pjesë në aksionin e arrestimit të drejtorit të Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, më 26 mars 2018, në veri të Mitrovicës do t’i nënshtrohen një hetimi nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Hetimin e policëve të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës e ka kërkuar zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Millan Radojeviq.

Duke folur për mediet lokale në veri të Mitrovicës, Radojeviq ka konfirmuar se Inspektorati Policor i Kosovës edhe zyrtarisht ka filluar hetimet për të dëshmuar përgjegjësinë penale të policëve që kanë marrë pjesë në arrestimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e ku është lënduar ministri Nenad Rikallo dhe disa të tjerë, shkruan më tutje “Zëri”.

“Në fund të marsit në rrugë zyrtare i kam bërë kërkesë Inspektoratit të Policisë së Kosovës që ta vlerësojë përgjegjësinë penale të policëve që kanë marrë pjesë në këtë aksion. IPK-ja menjëherë ka filluar t’i marrë deklaratat dhe të mbledhë të dhëna, ndërsa Prokuroria e Mitrovicës është e kompetente për hetime. Informacioni i fundit që kam është se sot (e hënë) do të mbahet një takim i përfaqësuesve të IPK-së me kryeprokurorin e Mitrovicës, Shyqyri Syla, i cili do t’i japë drejtimet se nga duhet të fillohet me hetimet”, ka thënë Radojeviq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme