Nis takimi i Lajçakut me Petkoviqin

13:37 | 19 Mars 2024
K.B

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar delegacionin e Serbisë, të kryesuar nga Petar Petkoviq në Bruksel.

Më herët emisari Lajçak takoi kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, raporton Radio Evropa e Lirë.

Takimi i përbashkët trepalësh nuk është ende e sigurt se do të ndodhë.

Ndër temat që do të diskutohen në takimet që po zhvillohen në Bruksel do të jetë edhe çështja e dinarit.
Sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi për REL se “nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që janë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka theksuar se është domosdoshmëri që të arrihet një pajtim sa i përket zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, me të cilën, ndalohet qarkullimi i dinarit.

Osmani para mediave ka thënë se për një pjesë të propozimit të emisarit amerikan, Gabriel Escobar, ka pajtueshmëri.

Ndërsa, javën e kaluar, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, zëvendësi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi ta pezullojë rregulloren e BQK-së, derisa BE-ja, SHBA-ja dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Një ditë më parë, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka paralajmëruar se BE-ja se do të vazhdojë presionin mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Pas një viti nga arritja e kësaj marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, Borrell ka theksuar se, ndryshe nga pritjet, zbatimi i marrëveshjes nuk është bërë.

Tashmë kanë kaluar 365 ditë që kur Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen në Ohër, për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

LEXO EDHE:

Nis takimi në Bruksel, Lajçak pret Bislimin

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme