Nis hetimi për kontratën Telekom – Z-Mobile

20:32 | 10 Maj 2018
Arbresh.info

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet për keqmenaxhimet që janë bërë në Telekomin e Kosovës, e të cilat e sollën këtë aset publik buzë falimentimit.

Nisjen e hetimeve e ka bërë të ditur për emisionin Frontal, Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, përmes postës elektronike.

Përgjigjet e Pokurorisë nuk e specifikojnë saktë se cfarë është duke u hetuar, por duket se cak i hetimeve është e gjithë kontrata e parë e lidhur mes Telekomit të Kosovës dhe Z Mobile.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe Telekomi i Kosovës e ka zanafillën në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009, kur edhe nisën mospajtimet në mes të dy palëve.

Këto mospajtime përfunduan në Arbitrazh në vitin 2015 pasi “Z-Mobile” pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit në Vjenë më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas këtij vendimi Telekomi obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Përmes një spektakli medial, protagonistët Kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa dhe drejtori i Z-Mobile, Milot Gjikolli, në prani të pronarit Blerim Devolli, në emër të shpëtimit të telekomit, nënshkruan marrëveshje, përmes së cilës këta të fundit hoqën dorë nga gjoba prej 32 milionë eurove

Atëherë marrëveshja u mbajt top sekret deri të mërkurën kur Gazeta Express e publikoi atë.

Secili nen i kësaj kontrate është më i rënd se tjetri për telekomin.

Telekomi është detyruar t’i paguaj 4.5 milionë euro Z-Mobile për shpenzime në Gjykatën e Arbitrazhit, të cilat nuk janë faktuar asnjëherë në pasqyrat financiare të Z Mobile, pasi besohet se kjo shumë ka qenë shumëfish më e ulët.

Marrëveshja kishte paraparë poashtu që Telekomi t’i alokojë për Z-Mobile 80 mijë deri në 90 mijë numra të ri dhe deri në vitin 2023 të mos e marrë asnjë cent prej të hyrave që i realizon Z-Mobile. Për më tepër i detyrohet që t’i jep edhe më shumë numra e edhe më shumë akces në 3G dhe 4G.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme