Kosova ka filluar grumbullimin e plazmës konvalescente nga personat të cilët e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, thotë për Radion Evropa e Lirë, infektologu në Klinikën Infektive në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës, Sali Ahmeti.
Institucionet shëndetësore, përmes një udhëzuesi kanë vendosur që të fillojë trajtimi i pacientëve të infektuar me koronavirus me plazmën konvalescente, si terapi mbështetëse.
“Transfuzioni i gjakut ka filluar grumbullimin e dozave të para. Me udhëzuesin tonë, këtë trajtim me plazmë konvalescente do ta aplikojmë te format e rënda të sëmundjes ose të format që kanë tendencë të përkeqësimit të shpejtë”, thotë Ahmeti.
Efikasiteti i trajtimit të COVID-19 me plazmë konvalescente
Sa i përket sasisë së grumbulluar të plazmës konvalescente, Bukurije Zhubi, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ), tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani kanë pasur vetëm tre dhurues të plazmës.
“Shpresojmë që në ditët në vijim të kemi më shumë doza të plazmës”, tha shkurt Zhubi.
Trajtimi i pacientëve me COVID -19 me plazmë konvalescente bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin. Transfuzioni i antitrupave besohet se krijon atë që njihet si “imuniteti pasiv” te të prekurit me COVID-19.
Infektologu Ahmeti tha se trajtimi i pacientëve me COVID -19 me plazmë konvalescente mund të rezultojë me efekte të mira te pacientët që e marrin këtë trajtim në kohën e duhur.
“Do të bëjmë përvojat tonë të para, por duke iu referuar përvojave tjera disa nxjerrin efekte të mira e disa me efekte më të pakta. Sa më shpejt që jepet plazma, pritshmëria për efikasitetin e saj është më e madhe, pasi që kjo përmban antitrupa që e bëjnë neutralizimin e virusit në depërtimin e tij në receptorët e qelizave gjegjëse”, thekson Ahmeti.
Ndarja e gjakut nga plazma bëhet në Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut.
Kjo metodë e trajtimit përmes plazmës është aplikuar në vazhdimësi për shumë sëmundje brenda Klinikës Infektive të QKUK-së.
Në janar të këtij viti, Komisioni Evropian njoftoi se do të mbështesë një sërë projektesh, për trajtimin e koronavirusit me plazmën konvalescente.
Trajtimi përfshin transfuzionin e plazmës konvalescente te pacientët e sëmurë, në mënyrë që t’ua përmirësojë imunitetin dhe aftësinë e tij për të luftuar virusin. Po ashtu, kjo formë e trajtimit do të mund t’i ofronte industrisë së shëndetësisë që të pastrojë antitrupat dhe të bëjë një produkt shëndetësor për COVID-19 (imunoglobinën).
“Për efikasitetin e këtyre dy qasjeve po kryhen hetime në mbarë botë, përfshirë edhe nga projektet që BE-ja financon. Këto dy lloje të trajtimeve mbështeten në grumbullimin e sasive të mëdha të plazmës konvalescente nga pacientët e shëruar nga COVID-19”, tha Komisioni Evropian.
Sipas këtij institucioni të BE-së, rezultatet e para janë premtuese, me pak të dhëna që tregojnë për raste kur ka pas efekt të kundërt. Rezultatet e tjera priten të dalin pas provave klinike.
“Rezultatet e deritashme sugjerojnë se transfuzioni më i hershëm (i plazmës së gjakut) nga donatorët, përmbajnë më shumë antitrupa dhe ofrojnë më shumë efikasitet në uljen e vdekshmërisë te pacientët me koronavirus”, tha BE-ja.
Kurti vizitoi repartin e rinovuar të Hemodializës në spitali...
Hiqet flamuri i Serbisë nga një intitucion paralel në veri
Aksident mes tri veturave dhe kamionit në qendër të Prishtin...
Rashford e bën prioritet transferimin te gjiganti evropian, ...
Mbi 3 mijë pjesëtarë të policisë iu nënshtruan kontrolleve s...
Çedomir Aksiq dënohet në mungesë me 15 vjet burgim për krime...