Nis deratizimi pranveror, pamje nga procesi

14:00 | 20 Prill 2024
K.B

Më 16 prill ka nisur deratizimi në disa nga lagjet e kryeqytetit.

Deratizimi është proces i eliminimit të brejtësve, të cilët duke prekur ushqimet dhe gjërat tjera mund të jenë bartës të shumë sëmundjeve ngjitëse.

Duke pasur parasysh rrezikun e madh që paraqesin brejtësit në bartjen dhe përhapjen e numrit të madh të shkaktarëve të sëmundjeve infektive dhe parazitare të kafshëve dhe të njerëzve, ky proces duhet të kryhet rregullisht në kuadër të masave të tjera profillaktike.

Ky proces realizohet në Komunën e Prishtinës të paktën dy herë në vit nga 10 ditë në sezonin e pranveror dhe vjeshtore.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka folur rreth këtij procesi, duke thënë se ky proces është i rëndësishëm për qytetarët dhe shëndetin publik në përgjithësi.

“Deratizimi është një proces shumë i rëndësishëm për qytetarët, përmes këtij procesi ne e bëjmë eliminimin e brejtësve, duke bërë prekjen e gjërave ushqimore, shpesh janë bartës të shumë sëmundjeve ngjitëse, apo vektorë ne i quajmë në mjekësi, kjo ka rëndësi shumë të madhe, për arsye se ekzistojnë rrezikshmëria, aty ku ka vektorë shumë, ku ka minj”, thotë Sadiku.

Sa i përket, procesit të deratizimit, ky proces ndahet në dy faza, faza pranverore e cila Komuna e Prishtinës ka filluar fazën pranverore, dhe fazën vjeshtore.

“Vetë fakti që ky ka qenë një proces që është realizuar për 3 vite e gjysmë në Prishtinë, për shkak të problemeve që ka pasur çështja e këtij procesi, 3 vjet e gjysmë nuk është realizuar deri në vitin e kaluar, ne kemi filluar vitin e kaluar në nëntor, sigurisht ne kemi pasur plot ankesa të qytetarëve, unë mendoj që ka plot brejtës, dhe është rritur numri i tyre në lagjet e Prishtinës, prandaj ne kemi bërë në fillim të nëntorit të kaluar një proces, dhe po vazhdojmë, kjo ndahet në dy faza, faza pranverore dhe vjeshtore, ne kemi filluar fazën pranverore, dhe realisht, sigurisht që mund të ketë ende ankesa, sepse mos trajtimi i brejtësve, për tre vjet e gjysmë, ka ndikuar që të ketë numër të madh të brejtësve”, tha Sadiku.

Ndër të tjerat, Sadiku tregon rreth vendeve ku është duke u kryer procesi i deratizimit.

“Ne bëjmë deratizimin e bodrumeve, garazheve dhe kanalizimeve publike në të gjitha lagjet e kryeqytetit, procesi është i paraparë me zgjatë 2 herë nga 10 ditë, faza pranverore, dhe 10 ditë faza vjeshtore”, përfundoi Sadiku.

Ndryshe, deri më tani deritizimi është bërë në lagjen, Lakërishtë, Dardani, Sofali, Taslixhe, Velani, Kodra e Diellit, Lagjja e Spitalit, Ulpianë dhe në Aktash.

Ndërkohë, pas një pauze trevjecare, në 2023 ka rinisur deratizimi në Prishtinë, e që ka vazhduar edhe ketë vit në kryeqytet. /Arbresh.info/Rita Jakupi/

Të ngjashme