Vitin 2023 e vlerëson si mbresëlënës për ministrinë e Drejtësisë, derisa shprehet optimist se reforma në drejtësi do të bëhet, pavarësisht sfidave.
Genc Nimoni, këshilltar i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në RTK, ka deklaruar se ministria e Drejtësisë ka qenë ndër dikasterët që ka shënuar më së shumti rezultate gjatë vitit 2023.
“Mund të konsiderojmë se 2023-ta ka qenë ndër vitet më të mira për këtë ministri. Kemi mbi 50 akte normative të miratuara nga qeveria apo të nënshkruara nga ministria. Pastaj, 24% e ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës i përkasin reformës në drejtësi dhe kjo është një arritje tjetër e reformimit të drejtësisë”, ka thënë Nimoni.
Ai po ashtu ka vlerësuar se ministria e Drejtësisë ka qenë ndër ministritë më transparente. “Mbi 1000 pyetje që janë bërë nga mediet e ndryshme, për mbi 96% të tyre kemi ofruar përgjigje”, ka shtuar ai.
Megjithatë, ai ka pranuar se ka pasur edhe ngecje në vitin që po e lëmë pas sa i përket nismave që ka ndërmarrë kjo ministri, por që i ka quajtur si sfida.
“Kanë qenë sfida të cilat nuk janë varur vetëm nga ministria e Drejtësisë sepse po të vareshin nga ne do të kishte rezultate tjera. Nismat tona si reforma në Këshillin Prokurorial, Vettingu, Byroja për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar janë procese të cilat kanë marrë kohë sepse ishin në Gjykatën Kushtetues”, ka nënvizuar Nimoni.
Ai ka thënë se vettingu në drejtësi është top prioritet i MD-së dhe Qeverisë, derisa është shprehur optimist se ky proces do të përmbyllet së shpejti.
“Ne e kemi pranuar njoftimin nga Kushtetuesja dhe jemi në pritje të aktgjykimit të plotë. Sipas procedurës Komisioni për Ligjislacion duhet ta kryejë punën e tij për ta dërguar për votim në Kuvend dhe kjo i hap rrugë ndryshimeve të nevojshme ligjore që i kemi planifikuar”, ka theksuar ai.
Nimoni e ka vlerësuar gjendja në Këshillin Prokurorial ndër më të rëndat dhe ka thënë se edhe Komisioni i Venecias përmes rekomandimeve të tij e ka konfirmuar nevojën për reformë aty.
Kosova mundet nga Irlanda
Rama thotë se ka filluar instalimi i ashensorëve në banesa k...
Gjuajtja me vezë – Xheneta akuzon Xuxin se e ka planifikuar ...
Abdixhiku: Sonte, Malisheva i dha zë ‘Turneut të Ndryshimit’
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...