Nikaj: Rruga drejt NATO-s s’është e thjeshtë, Fondi i Sigurisë ka gabim në hapa

23:03 | 2 Mars 2022
L G

Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, ka thënë se Kosova, por edhe bota që nga dita kur kanë nisur luftimet në Ukrainë ndodhen në një kontekst të ri.

Nikaj tha se kjo situatë i ka ofruar vendit një momentum të ri, teksa shtoi se nuk mjaftojnë vetëm postimet nëpër rrjete sociale për rrugën drejt BE-së dhe NATO-s.

“Rruga drejt BE-së dhe NATO-s nuk është e thjeshtë. Nuk mund të bëhemi anëtarë të NATO-s pa kaluar procesin e partneriteti për paqe”, ka thënë Nikaj në Rubikon në Klan Kosova.

Më tej, ai tha se kërkesa e Kosovës për t’u bërë pjesë e NATO-s nuk ka filluar sot, por ka nisur qysh në vitin 2016.

“Në vitin 2016 ka ekzistuar shkëmbimi i letrave në mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s atëherë dhe ish kryeministrit Mustafa, përmes të cilit është hyrë në një bashkëpunim të avancuar mes NATO-s dhe Kosovës”.

“Kosova është hapësirë e NATO-s. NATO e ka përgjegjësinë për mbrojtjen e integritetit dhe sigurisë së Kosovës, të garantuar edhe nga Rezoluta 1244. Prandaj, NATO, çfarëdo sulmi ndaj Kosovës e konsideron si sulm ndaj NATO-s”, ka thënë Nikaj, njofton Klankosova.tv.

Tutje, anëtari i Kryesisë së PDK-së, tha se në vitin 2016, ka pasur përpjekje të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës me aleatët e saj, deri sa, sipas tij, zyrtarë të lartë kanë thënë “shkruajeni letrën”.

“Në momentin kur ti e shkruan letrën, nuk do që të vijë një përgjigje që s’e do. Në momentin kur ShBA-të dhe Quint-i kanë thënë dërgojeni tash letrën tek Sekretari Gjeneral, e kemi ditur se përgjigja e tij do të jetë në drejtim të asaj që ne e kemi kërkuar në letër”, ka thënë Nikaj në Klan Kosova.

Nikaj, gjithashtu komentoi edhe themelimin e Fondit të Sigurisë nga ana e qeverisë, teksa tha se janë bërë gabime në hapa, sepse, sipas tij, si hap i parë do të duhej të ishte vendosja e 100-200 milionë eurove në këtë fond nga ana e vetë qeverisë.

“Fondi i Sigurisë është një iniciativë e rëndësishme, por ne si PDK mendojmë se mënyra se si po themelohet, nuk po i ndjekë hapat e duhur, sepse nëse e themelojmë një fond të tillë, hapi i parë do të duhej të ishte që të vendosen 100-200 milionë euro nga buxheti i shtetit të Kosovës, e pastaj të shikojmë për donacione shtesë”, ka thënë Nikaj.

Të ngjashme