Ngritja e çmimit të vajit, Abdixhiku: Është çmim i braktisjes së detyrave bazike shtetërore

18:44 | 10 Mars 2022
KRG

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar sërish për rritjen e çmimit të produkteve ushqimore, duke përfshirë këtu edhe ngritjen e çmimit të vajit.

Abdixhiku thotë se çmimi i vajit rritet në rekord botëror, sepse fiksimet e mashtruesve s’ka kush t’i kontrollojë.

“S’ka kush t’i kontrollojë sepse në njërën anë inspektorët e shtetit nuk janë askund; e në anën tjetër Autoriteti i Konkurrencës është i paralizuar e pa funksion. Sot bëhen 10 muaj që kur Qeveria praktikante e Kurtit ka lënë këtë institucion pa Bord, rrjedhimisht pa njerëz që nisin hetime apo marrin vendime në kohë krizash si sot. Ky është çmimi i paaftësisë e neglizhencës. Është çmim i braktisjes së detyrave bazike shtetërore”, thotë ai, transmeton Telegrafi.

Tutje, ai thotë se gjendemi në krizë për shkak se Qeveria nuk ka dëgjuar rekomandimet e dhëna.

“Ne jemi në krizë. Dhe në këtë krizë nuk kemi Qeveri. Paralajmërimet e ngritura me kohë s’dëgjohen e rekomandimet e dhëna injorohen”, thekson ai.

Abdixhiku ka njoftuar për rekomandimet që i kanë bërë si parti.

– Më 3 shkurt, si LDK kemi paralajmëruar Qeverinë për marrjen e masave në sigurim të grurit para shperthimit të agresionit rus në Ukrainë. Asnjë reagim.

– Më 16 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të ofrojë një paketë masash fiskale që targetojnë inflacionin e lartë – më të lartin historik – në Kosovë. Asnjë reagim.

– Më 21 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të funksionalizojë sa më parë Autoritetin e Konkurrencës si preventivë për manipulimet e mundshme të çmimeve; me të njëjtat që po ballafaqohemi sot. Asnjë reagim.

– Këtë javë, kemi dhënë rekomandime konkrete mbi masat që duhet marrë për zbutjen e përballueshmërisë; me theks të veçantë në reduktimet e TVSH-së e akcizës mbi derivate fillimisht e më pas dhe në produktet bazike. Rekomandimet tona u mbështetën nga të gjithë, përveç Qeverisë. Asnjë reagim”, thuhet mes tjerash në reagimin e tij.

Më tej, ai ka shkruar “Mosreagueshmëria është pjesëmarrje në krizë. Qeveria, si ankuese e vështruese e krizës, po kontribuon në krizë”.

Ndryshe, edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas rritjes së çmimeve të disa produkteve bazike.

Haxhiu përmes një shënimi në Facebook ka thënë se ngritja e tillë e çmimeve paraqet vepër penale.

Ministrja ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të marrë veprime kundër këtyre personave.

“Ftoj Prokurorin e Shtetit, që bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara, të ndërmarrë menjëherë veprime në përputhje me mandatin e tij, kundër abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm që me veprimet e tyre po dëmtojnë qytetarët e vendit tone”, ka shkruar tutje Haxhiu.

Çmimi i një litre vaj në disa qytete në Kosovë ka arritur në 3.49 Euro, kurse më herët ka kushtuar 1.60 Euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme