Google ADS

Ngritet me ceremoni zyrtare flamuri i Kosovës në Konsullatën në Iowa

11:28 | 21 Nëntor 2017
Arbresh.info

Në praninë e Sekretarit të Shtetit të Iowa-s, Paul Pate, Senatorëve të këtij shteti, Komandantit të Gardës Kombëtare, Gjeneral-Majorit,Timothy Orr, të hënën nëpërmjet një ceremonie zyrtare, u bë ngritja e flamurit të Republikës së Kosovës në Konsullatën e Kosovës në shtetin e Iowa të ShBA-së.

“Ngritja ceremoniale e flamurit u bë nga Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, Xhavit Gashi, së bashku me Zëvendës-Governatorin i këtij shteti Adam Greg.
Në këtë ngjarje të hapur për publikun, morën pjesë më shumë se 200 veta nga sektorë të ndryshëm, përfshirë përfaqësues të Senatorëve amerikanë nga ky shtet, Joni Ernst dhe Senatorit Chuck Grassley, Presidentë të Kolegjeve dhe Universiteteve të ndryshme, përfaqësues biznesesh, kryetarë qytetesh të binjakëzuar me qytete të Kosovës dhe qytetarë ordiner.

Kjo ceremoni u përmbyll nga pjesëtarët e bendit frymor të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, të cilët performuan himnet e të dyja shteteve respektove”, thuhet në njoftim.

Me funksionalizimin e plotë Konsullatës në Iowa, Republika e Kosovës shton numrin e misioneve diplomatike dhe konsullore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në tri, respektivisht me Ambasadën në Uashington, Konsullatën e Përgjithshme në NewYork dhe Konsullatën në Iowa.

Kosova dhe shteti i Iowa-s në ShBA kanë arritur që të zhvillojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe që përfshijnë pothuajse të gjitha fushat e bashkëpunimit. Ky partneritet filloi në mes Gardës Kombëtare të Shtetit të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për tu zgjeruar më pas edhe në fusha tjera.

Si rezultat i thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit Kosova dhe shteti i Iowa-s nënshkruan edhe një Marrëveshje të Partneritetit për Shtetet Simotra në vitin 2013.

Që nga atëherë janë zhvilluar vizita të shumta në nivelin më të lartë shtetërorë nga të dyja shtetet dhe janë nënshkruar disa marrëveshje të tjera bashkëpunimi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme