Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, me datë 03.09.2023 rreth orës 18:45 min, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, i pandehuri A.G., privon nga jeta personin tjetër, dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave, në atë mënyrë që pas një zënke të çastit që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të pandehurit dhe viktimës, i pandehuri A.G., me automjetin e tij niset në drejtimin e shtëpisë së tij, nga ku e merr armën e gjatë AK-47, hip në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e vërenë viktimën B.M., i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarit H.Th., (bashkëshortja e viktimës), A.M. (vajza tetë vjeçare e viktimës), R.M., dhe H.Sh., u del përballë me automjet, i pajisur me pushkën automatike AK-47, zbret nga automjeti, shkrep një rafal në drejtim të viktimës B.M., me ç’rast të njëjtin e godet në pjesën e përparme të trupit, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i pandehuri i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur edhe një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës, me ç’rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
“Të dëmtuarat H.Th., dhe A.M., gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës, ndërsa i dëmtuari R.M., arrin të fshihet prapa një muri në afërsi të vendit të ngjarjes, e i dëmtuari H.Sh., fshihet prapa automjetit të të pandehurit. I pandehuri largohet në drejtim të automjetit të tij, kur e vëren të dëmtuarin H.Sh., ia drejton armën, e në momentin kur i dëmtuari i drejtohet me fjalë se “unë nuk kam bërë asgjë, vetëm iu kam ndarë”, i thotë që të largohet nga aty, hip në automjetin e tij të llojit “Volkswagen Tiguan” dhe largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, e me këtë rast të dëmtuarve H.Th., (bashkëshortja e viktimës), A.M., (vajza tetë vjeçare e viktimës), R.M.,. dhe H.Sh., u rrezikon jetën.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas prokurorisë, me këto veprime, i pandehuri A.G., ka kryer veprat penale të lartëcekura.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.”, thuhet ndër të tjera në njoftim./Arbresh.info/
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...