Ngritët aktakuzë kundër tre serbëve për krime lufte në regjionin e Gjilanit

16:07 | 30 Dhjetor 2024
E.H

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton se ka ngritur aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër tre të pandehurve të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.

Sipas njoftimit për media inicialet e të pandehurve janë D.G, Ž.C dhe Z.Š, të cilët akuzohen se kanë kryer krime lufte në regjionin e Gjilanit, përcjell Arbresh.info

“Për të pandehurin D.G. ekziston dyshimi i bazuar mirë se në cilësinë e personit zyrtar- me gradë Kolonel – Shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjilan, në periudhën janar-korrik 1999 epror dhe mbikëqyrës ndaj të gjithë vartësve të tij dhe me kontroll efektiv ndaj tyre dhe territorit të Komunës së Gjilanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka qenë në dijeni ose është dashur të jetë në dijeni dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar, ndaluar apo për të raportuar në hierarki lidhur me vrasjet, plagosjet, djegien për së gjalli të viktimave civile shqiptare, marrjen peng, rrahjet, maltretimet, torturat fizike dhe psikike, plaçkitjet, dëbimin e popullatës civile shqiptare, në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë, andaj,- me këtë, ka kryer veprën penale, Krime Lufte Kundër Popullatës Civile nga neni 142 të LP të RSFJ-së.”, thuhet në njoftim.

“Për të pandehurin Ž.C. ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në regjionin e Gjilanit, si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje me D.C, D.N, M.SH, N.S dhe S.J., si edhe me pjesëtarë tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë (8) civileve shqiptarë, e konkretisht dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drunjësh, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli, kishin rrahur, maltretuar, torturuar, plaçkitur, dëbuar popullatën civile shqiptare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë, andaj, me këtë, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale, Krime Lufte Kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së”, thuhet në njoftim.

“Ndërkaq për të pandehurin Ž.C. ekziston dyshimi i bazuar mirë se në cilësinë e mjekut të Spitalit Regjional në Gjilan, me datë 05/04/1999, nuk ofron ndihmën e duhur mjekësore viktimës N.R, i cili ishte plagosur nga grupi kriminal si më lartë, vetëm për faktin se i njëjti ishte i përkatësisë nacionale shqiptare, të njëjtin e urdhëron që të largohet sa më shpejt nga Spitali, e si pasojë e këtij veprimi viktima ndërron jetë në orët e vona të së njëjtës ditë, – më këtë, ka kryer veprën penale, Krime Lufte Kundër Popullatës Civile nga neni 142 të LP të RSFJ-së”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme