Google ADS

Ngritën çmimet e bukës, mishit, kafes dhe duhanit

20:54 | 17 Mars 2018
Arbresh.info

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar ‘Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit’ për muajin shkurt krahasuar me çmimet e muajit janar të këtij viti. Sipas publikimit çmimet e konsumit kanë shënuar një ngritje për 0.3%.

Kjo ngritje e çmimit është shënuar në produktet e konsumit, tek mishi 0.8%, pemë 4.1% perime 4.3% dhe tek përdorimi i pajisjeve për transportin personal 0.6%.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0.3% në muajin shkurt 2018, krahasuar me muajin janar 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: mish (0.8%); pemë (4.1%); perime (4.3%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (0.6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve për 0.4% në IHÇK”, thuhet në publikimin e ASK-së.

Kjo ngritje u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupi i qumështit, djathit dhe vezëve (-1.1%) me një ndikim prej (-0.1 %) në IHÇK.

Në anën tjetër në publikimin e ASK-së theksohet se në muajin shkurt të këtij viti në krahasim me muajin shkurt të vitit të kaluar, janë vërejtur disa ngritje të çmimeve tek buka, drithërave, mishit, vajrave, yndyrës, pemëve, kafes, çajit, duhanit dhe shërbimeve për transport, shkruan Insajderi.

“Përkundër mosndryshimit në muajin shkurt 2018 të indeksit të tërësishëm të harmonizuar të çmimeve të konsumit, me muajin shkurt 2017, në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: bukë dhe drithëra (2.5%); mish (1.5%); vajëra dhe yndyra (2.7%); pemë (12.5%); kafe, çaj dhe kakao (4.6%); duhan (3.5%); shërbime për transport (2.2%)-(ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.0% në IHÇK”, thuhet në publikimin e ASK-së.

Më tej thuhet se kjo ngritje u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve të qumështit, djathit, vezëve, perimeve, sheqerit, ëmbëlsirave dhe disa produkteve të tjera.

“Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet: qumësht, djath dhe vezë (-4.1%); perime (-2.4%); sheqer dhe ëmbëlsira (-7.4%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-9.4%)- (rënie e çmimit të energjisë elektrike në muajin shkurt 2018 për (-15.4%), krahasuar me tarifat dimërore të muajit shkurt të vitit 2017); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-7.0%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve për (-1.0%) në IHÇK”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme