Google ADS

“Ngrirja” e bashkëpunimit ndërmjet MD-së dhe KPK-së, me efekte negative në përfundimin e reformave në drejtësi

09:23 | 31 Tetor 2021
Përparim Bublaku

Ngrirja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë(MD) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), sipas njohësve të fushës së drejtësisë, do të ndikojë negativisht në përfundimin e reformave aq shumë të nevojshme në sistemin e drejtësisë.

Sipas tyre këto dy institucione duhet gjetur mënyra të bashkëpunimit.

Kjo situatë ka ardhur pas një deklarate të zv.ministrit të Drejtësisë, Besnik Sallahu, i cili ka thënë se prokurorët në Kosovë, janë të lidhur me krimin. Kjo ka “hidhëruar” prokurorët, të cilët kanë kërkuar distancim nga kjo deklaratë nga e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Por në MD, nuk kanë dhënë shenja që do të distancohen nga kjo deklaratë.

Në pyetjen e drejtuar nga Arbresh.info, zyrtari për informim në Ministrinë Drejtësisë, Flamur Pireva ka thënë se ministrja Haxhiu është e përkushtuar për sundimin e ligjit dhe në vazhdimësi ka theksuar se ajo dhe kabineti i saj nuk mund të heshtin përballë mosveprimeve dhe skandaleve brenda sistemit të drejtësisë.

“Ministrja Haxhiu është e përkushtuar për sundimin e ligjit dhe në vazhdimësi ka theksuar se ajo dhe kabineti i saj nuk mund të heshtin përballë mosveprimeve dhe skandaleve brenda sistemit të drejtësisë. Vetëm adresimi i shkeljeve, abuzimeve dhe paligjshmërie, mund të jetë sinjal i vullnetit për sundimin e ligjit.
Bashkëpunimi institucional është obligim kushtetues dhe jo vullnet individual. Ne do të vazhdojmë t’i ftojmë në grupet punuese ku po adresohet reforma në drejtësi. KPK janë të mirëseardhur për të dhënë kontributin e tyre në reformën në drejtësi. Bojkoti i tyre është bojkot i reformave”, ka përfunduar Pireva.

Për Juristin, Arber Jashari, të dy palët duhet të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe komfort kompetencave që i kanë.

“Mendoj që të dy palët duhet të sillen në mënyrë të përgjegjshme komfort kompetencave të tyre ligjore dhe kushtetues dhe anë asnjë mënyrë nuk guxohet që për shkak të inateve e të tekeve të dikujt të rrezikohen procese të caktuara ku kërkohet angazhimi e dakordimi i të dy palëve cofshin këto procese që lidhen më strategjinë apo ligjin apo çfarëdo çështje ku lypet angazhim i përbashkët”, ka thënë Jashari për arbresh.info.

Njëjtë si Jashari mendon edhe Erblin Hoxha nga Lëvizja Fol.

Vetëm se sipas Hoxhës, mungesa e një bashkëpunimi te ngushte ne mes ministrisë dhe KPK-se tregon një rruge te vështire te realizimit te reformave aq shume te nevojitura ne drejtësi.
“Përplasja ne mes te Ministrisë se Drejtësisë dhe KPK-se nuk sjelle ndonjë përfitim për qytetaret. Për me shume, mungesa e një bashkëpunimi te ngushte ne mes ministrisë dhe KPK-se tregon një rruge te vështirë te realizimit te reformave aq shume te nevojitura ne drejtësi”, thotë Hoxha për Arbresh.info.
Hoxha ka dhe një kritik për KP-në.

“Edhe pse parimisht, ministria e drejtësisë nuk guxon te ndërhyje ne punën e Prokurorisë ne përgjithësi, është e domosdoshme qe KPK-ja te këtë një presion te jashtëm ne mënyrë qe te kryej punën me mire. Me vite te tera KPK-ja ka dështuar te shfaqe profesionalizëm, transparence dhe llogaridhënie ndaj çfarëdo institucioni tjetër, dhe duke u thirrur ne pavarësinë e sistemit te drejtësisë, KPK-ja është shndërruar ne një institucion totalisht te mbyllur për publikun, dhe pa treguar rezultatet”, ka përfunduar Hoxha.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka thënë se deklaratat e Zëvendësministrit të Drejtësisë janë linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe kanë për qëllim dëmtimin e sistemit Prokurorial.

“Nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional. Ndërkaq, Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore”, thuhet tutje në reagim.
Këshilli Prokurorial ka bojkotuar dy aktivitete të thirrura nga MD, apo ku të pranishëm kanë qenë zyrtarë të kësaj ministrie./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme