Ngecjet në dialogun Kosovë-Serbi, profesori britanik fajëson Bashkimin Evropian

20:33 | 8 Korrik 2021
L G

Profesori nga London School of Economics, James Ker-Lindsay, e cilëson procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si të ngecur, e fajin e hedh tek Bashkimi Evropian.

Dita kur Kosova dhe Serbia do t’i normalizojnë raportet duket e largët. Roli i Brukselit si ndërmjetësues në këtë proces po shihet si i dobët.

Profesori britanik, James Lindsay procesin e dialogut po e sheh si të ngecur e gishtin po e drejton nga Bashkimi Evropian.

“Ne thjeshtë po shkojmë rreth e rrotull pa ndonjë mendim të freskët nga palët ose nga Bashkimi Evropian. Unë nuk shoh se ky proces do të ketë përparime. Bashkimi Evropian ka bërë shumë pak për të stimuluar palët. Ai ka dështuar për të dërguar një mesazh për zgjerimin në drejtim të Ballkanit Perëndimor. Nëse dua të jem më i sinqertë disa nga idetë më inovative janë bllokuar nga Berlini. Në fund të fundit iu takon palëve të punojnë rreth zgjidhjes përfundimtare dhe kjo duhet të mbështetet e jo të bllokohet nga BE dhe partnerët”, deklaroi Lindsay për RTV Dukagjinin.

Eksperti thotë se për shkak të ndryshimeve në gjeopolitika, Serbia tashmë është më e favorizuar në krahasim me Kosovën dhe sipas tij kjo gjë në Kosovë nga njerëzit nuk po pranohet me lehtësi, përcjell Telegrafi.

“Sa i përket pozicionit aktual të Prishtinës, ajo duke thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën nuk do të ndryshojë asgjë. Beogradi ka pak arsye për momentin për ta bërë këtë dhe nuk është se do të paguan ndonjë çmim të lartë për këtë. Serbia pavarësisht nëse e njeh apo jo Kosovën, nuk ka garanci se do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Ndërkohë Kosova është pala që i ka dyert mbyllura nga shumë mekanizma ndërkombëtarë. Me një rol të dobët të BE-së në Kosovë, dhe ndikim të madh rus e kinez në Ballkan, Serbia është një pozitë më të fortë se kurrë”.

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar në vitin 2011 dhe nga një dialog teknik është shndërruar në dialog politik.

Të ngjashme