Nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

19:13 | 6 Qershor 2024
E.G

Gjykata Themelore në Prishtinës ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve për spiunazh.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen mbi dyshimet se kanë kryer veprën penale “Spiunazhi”, shkruan Arbresh.info.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.Sh dhe M.Q. që të dy për shkak të dyshimit të bazuar kanë kryer veprën penale Spiunazhi, si dhe i pandehuri M.Q. për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.”, thuhet në njoftimin e  kësaj gjykate.

Sipas njoftimit, gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të jenë të pa arritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes, po ashtu gjykata vlerësoj se nëse të pandehurit do të jenë në liri mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale, ose do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale.

“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.”, thuhet mes të tjerash në njoftim./Arbresh.info/

Të ngjashme