Që kur ishte vetëm 17 vjeçar, Smajl Balaj kishte nisur punën e tij si bujk, duke i ndihmuar familjes së tij.
Mungesa e shkollimit dhe gjetja e një pune tjetër, e kishte kushtëzuar atë të merrej me bujqësi, por 32 vjeçari sot thotë se këtë punë nuk do ta ndërronte me asnjë tjetër.
Puna e tij 15 vjeçare në tokën e fshatit Llaushë të Skenderajt, e bëri për vete Balajn.
Bujqësia për të nuk është më vetëm një punë për mbijetesë, por është kthyer në një pasion dhe gjithashtu përfitim i mjaftueshëm.
Me një pasion të thellë për tokën dhe kulturat bujqësore, ai ka transformuar një sipërfaqe të kufizuar në një fushë prodhuese ku pemët dhe bimët shndërrohen në rezultate të frytshme të punës dhe përkushtimit të tij të palodhur.
“Me bujqësi merremi që 15 vite që kemi filluar të shesim me shumicë ose të themi më mirë të ardhurat kryesore që kemi pasur më shumë prej bujqësisë janë mbi 15 vite. Në atë kohë nuk kemi pasur zgjidhje tjetër, kemi qenë të pa shkollë të papunë, nëse do të ishte na ofruar një punë më e mirë nuk do të kishim filluar që të merremi me bujqësi, por fati deshi që të merrem me bujqësi”, tregon ai.
Fermeri Balaj kultivon 5 lloje kulturash të ndryshme çdo vit në një sipërfaqe prej dy hektarësh, por pjepri është lloji i frutit që mbizotëron.
“Kam edhe kultura të tjera që janë 4-5 kultura që i mbjelli çdo vit, përveç pjeprit mbjelli, dredhëz në sipërfaqe më të mëdha, spinaq, speca, domate këto kultura zakonisht i përsëriti çdo vit. ndihmesat janë zero përveç subvencioneve që janë një shumë e vogël. Me pjepër i kam gati 5000 fidan të mbjella. Në këto serra që kam të paktën dy kultura i mbjell gjatë një viti, por të kisha pas një sipërfaqe më të madhe me serra atëherë unë do të kisha mbjellë fidanë më shumë dhe kultura më shumë”, tha Balaj.
Sipas tij, pjepri është një kulturë që nuk ka kërkesa të mëdha dhe fuqia punëtore për ta kultivuar është më e ulët.
“Pjepri nuk ka kërkesa të mëdha, sikur kultura e domates apo e dredhëzës. Fuqi punëtore do më pak, por edhe fitimi është më i vogël. Tek kultura e pjeprit gjithçka është dora e njeriut. Me pjepër i kam të mbjella 50 ari tokë. Pjeprin që e kam e kultivoj vetëm për konsum vendor. Synoj të fus edhe disa kultura të tjera, për arsye se nuk kemi fuqi punëtore dhe duhet ta zgjasim sezonin me kultura. Unë këtë vit vetëm në serrë i kam shumicën e kulturave dëme nuk kemi pasur nga breshëri në këtë vit dhe nuk mund të themi se ka qenë një vit i keq për bujqësinë në rajonin, ku jam unë”, shprehet ai.
Balaj ka një mesazh inkurajues për të gjithë ata që kanë interes të merren me bujqësi
“Atyre që nuk merren me bujqësi do ju them që bujqësia është e mirë nëse pate mundësi që të investosh është e mirë nëse pate ndihmesë, përndryshe nëse nuk ke ndonjë shumë të parave është mjaftë problem. Ata që nuk merren me bujqësi do t’u thosha që të konsumojnë prodhime vendore”, përfundoi ai.
Ai në fund, u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të konsumojnë produktet vendore, gjë që sipas tij, do ndihmonte bujqit, por edhe vetë konsumatorët të cilët do konsumonin produkte më të freskëta dhe të lira vendore./Arbresh.info/Edona Krasniqi/