Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shqyrtojnë mundësinë e masave kundër Kosovës në rast se nuk përmbush detyrimet e saj dhe nuk qetëson situatën në veri të vendit, përfshi këtu edhe sanksione ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të brendshëm Xhelal Sveçla, sipas një teksti të qeverisë amerikane, të siguruar nga Euronews Albania.
Faza e parë e sanksioneve do të përfshinte ngrirjen e të gjitha fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, fondet amerikane dhe projekte të tjera të financuara nga Perëndimi.
Faza e dytë do të ishte qëndrimi pasiv i aleatëve të Kosovës ndaj fushatës së Serbisë për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, një riorganizim i prezencës ushtarake ndërkombëtare dhe një reduktim në shkallë të gjerë i kontingjentit amerikan në Kosovë, si dhe përjashtimi i Kosovës nga organizata të caktuara ndërkombëtare.
Dokumenti gjithashtu parashikon sanksione individuale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të brendshëm Xhelal Sveçla, nëse situata në terren degradon më tej. Kjo mund të përfshijë shpalljen non grata të dy zyrtarëve, “me justifikimin se ata janë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”.
Dokumenti thotë se “komuniteti ndëratlantik ka një nevojë jetësore për të mos lejuar një krizë pas linjave të kontaktit me Rusinë… me bindjen se problemet do të dilnin nga ana e Serbisë, pas planit franko-gjerman, si pala më kokëfortë dhe jokonstruktive në dialog”.
Teksti vijon, “askush nuk e priste që do të ishte qeveria e Kosovës, ajo që me veprimet e saj, do të nxiste pasigurinë dhe do të ushqente konflikte dhe kriza”.
Më tej teksti thotë se komunitetit ndërkombëtar i ka mbaruar durimi dhe kërkon “një përgjigje të qartë nga qeveria e Kosovës: është apo jo partnere e komunitetit ndëratlantik?”
Të qenit partner nënkupton përmbushje të pakushtëzuar të të gjitha detyrimeve dhe “dështimi për ta bërë këtë nënkupton pasoja” sipas tekstit.
Përveç kritikave për qeverinë aktuale, dokumenti hedh kritika edhe ndaj opozitës së Kosovës dhe i akuzon ata “se kanë dështuar të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe rrezikun e vërtetë për Kosovën”.
Në dokument thuhet se opozita duhet të dalë me një qëndrim të qartë nëse është pro përmbushjes së detyrimeve të Kosovës në procesin e dialogut.
“Fakti që opozita nuk e ka bërë këtë, sjell mosbesim dhe projekton oportunizëm,” shkruhet në tekst.
Në fund thuhet se “nëse Kosova nuk përmbush detyrimet e saj, ajo rrezikon të ardhmen”.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian u përgjigj për EA: “Ne nuk komentojmë për rrjedhje dokumentesh të pretenduara, dhe në veçanti për diçka që pretendon të jetë një dokument i një vendi të tretë në lidhje me veprime të supozuara të BE-së.”
Biden fal dënimet me vdekje, konvertohet dënimi për 37 të bu...
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...