Nga maji në pritje të vaksinave për mbrojtje nga kanceri në mitër

08:10 | 3 Shtator 2022
L G

300 vaksinat kundër kancerit në qafën e mitrës që ishin të planifikuara të arrijnë në muajin maj, nuk kanë arritur ende në Kosovë.

Nga Ministria e Shëndetësisë për arbresh.info thonë se vaksinat kundër kancerit në qafën e mitrës pritet të arrijnë në muajin shtator.

Sipas MSH-së, vaksinimi do te jetë i rekomanduar për kategori të femrave të moshës 11-15 vjeçe.

“Këto priten për muajin shtator, sigurisht në pjesën e dytë të muajit. Sivjet vaksinimi do te jetë i rekomanduar për kategori të femrave të moshës 11-15 vjeçe dhe femrat qe se kanë filluar ende aktivitetin seksual, atyre me indikacione apo atyre me predispozita gjenetike për kancer të qafës së mitrës , ndërsa vitet vijuese synohet të përfshihet si vaksinë në kuadër të programit të rregullt të vaksinimit në Kosove”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ndërsa, Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Arben Bislimi tha se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 30 raste të reja me kancer në qafën e mitrës.

“Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 30 raste të reja. Ndërsa në vitin 2021 ishin 86 raste”, deklaroi Bislimi.

Ndryshe, vaksinat kundër virusit (HPV) që shkakton kancerin e qafës së mitrës, sigurohen përmes UNICEF-it.

Vaksina kundër pipilloma virusit (HPV), është vaksinë e cila mbron vajzat dhe gratë nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës.
Papilloma virusi transmetohet kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale dhe mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme te personat e prekur, përfshirë kancerin e qafës së mitrës te gratë.

Në bazë të studimeve të bëra nga organizata “Cancer Research”, me seli në Britani, vaksina HPV zvogëlon rastet e kancerit të qafës së mitrës për gati 90 për qind.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit.

Shqipëria ka paralajmëruar futjen e vaksinës HPV në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit.

Në Maqedoninë e Veriut, kjo vaksinë është në kalendar, ndërsa nga viti 2013 është obligative për grup-moshën 12 deri në 26 vjeçe dhe jepet në tri doza.

Në kalendarin e vaksinimit të Serbisë është po ashtu HPV, por vaksina nuk është e obligueshme, është e rekomanduar.

Në vitin 2020, Mali i Zi ka ndarë buxhet për vaksinën HPV, por ato mjete janë përdorur për nevojat e trajtimit të pandemisë COVID-19, e cila ka shpërthyer në atë vit. /Kujtesë Berisha /arbresh.info/

 

 

Të ngjashme