Google ADS

Nga furnizimi me ujë i fshatrave deri tek ndërtimi i sheshit – Projektet e realizuara dhe të parealizuara të kryetarit të Vushtrrisë

12:01 | 10 Shkurt 2024
K.B

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi pretendon se ka realizuar mbi 90 për qind të projekteve që i kishte premtuar gjatë fushatës elektorale.

I vetmi projekt që nuk është realizuar ende, sipas tij, është furnizimi me ujë të pijes për disa fshatra të pjesës lindore të Vushtrrisë.

Megjithatë, ai në një intervistë për portalin Arbresh.info, thotë se ka gjetur një zgjidhje edhe për këtë e që sipas tij, ky projekt pritet të realizohet shumë shpejt.

“E kemi trashëgua një rrjet të ujësjellësit që është ndërtu shumë herët ka pas edhe defekte, mandej edhe sistemi i pompimeve janë çështje teknike na kanë marr shumë kohë por tash do të filloj projekti i madh, vetëm pritet me u shpall tenderi është hartu edhe projekti dhe do të qesim një bazën të madh në kodrat e fshatit Soqne dhe prej aty do të i furnizojmë të gjitha këto fshatra”, tha kryetari

Si sukses më të rëndësishëm të arritur gjatë vitit 2023, kryetari Idrizi e cilëson ndërtimin e sheshit të Vushtrrisë.

“Sukseset e vitit 2023 projektet e realizuara i kemi në numër të madh të projekteve. Një prej projekteve më të mëdha investime kapitale që është realizuar që ka pasur impakt në realitet jo që ka pas kosto të madhe është pastrimi i lumenjve, rregullimi i shtratit të lumit Sitnica dhe pastrimi i të gjitha proçkave dhe përrenjve që kanë ndikuar që Vushtrria të shpëtoj nga vërshimet që ishin edhe në vitin 2022 edhe në vitin 2023. Mandej kemi realizuar edhe projekte infrastrukturore asfaltime, kanalizime por në qytetin e Vushtrrisë do ta quajua si kryevepër që është duke u realizuar është projekt dy vjeçar është sheshi i qytetit të Vushtrrisë, me parking nëntokësor që tash veç se ka marr formë parkingu nëntokësor, do të ketë amfiteatro verore dhe do të ketë disa dyqane për zejtar”, pohon Idrizi.

Si kryetar i qytetit më të vjetër në Kosovë, ka pasur në fokus zhvillimi i kapaciteteve profesionale të të rinjve.

Ai na njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje me një kompani të mobilierisë, e cila do të ua mundësoj nxënësve praktikën profesionale.

“Ata do të marrin edhe paga, një pjesë pagës do ta marrin në atë kompani, do ta kenë shujtën do ta kenë sigurimin dhe do ta kenë të siguruar vendin e punës, pas përfundimit të shkollës së mesme. Kjo është ajo që i kam kushtuar shumë rëndësi, sepse tash e dy vite ne paguajma 100 për qind bursat e këtyre nxënësve që 11 profile i paguajmë në qendrën e trajnimeve gjermane në Mitrovicë ku aftësohen në tregun e punës”, tha Idrizi.

Që në fokus ka të rinjtë, e tregon më së miri edhe marrëveshja e bashkëpunimit që kryetari i Vushtrrisë ka arritur me njërin ndër universitetet më të njohura në botë që është “Youth University”.

Për studimet në këtë universitet, Idrizi tregoi se janë ndarë 10 bursa për vushtrriasit.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka ndarë 7 milionë euro buxhet për komunën e Vushtrrisë dhe kjo shumë sipas Idrizit, është e mjaftueshme.

“Për këtë vit e kemi buxhetin dikun 7 milionë euro, mirëpo kemi pasur edhe donacione dhe grante, bashkëfinancime kështu që për këtë vit diku i kemi të planifikuara për investime kapitale afër 12 milionë euro. Marr parasysh edhe ato projekte që janë dy vjeçare që janë shpallur në vitin e kaluar e kanë me u pagu këtë vit. Buxheti ndahet për kokë banori dhe kaq i takon komunës së Vushtrrisë. Është në rregull nuk kemi ndonjë vërejte”, thotë Idrizi.

Idrizi: Mërgimi dhe rënia e natalitetit ka ndikuar në uljen e vazhdueshme të nxënësve në komunën e Vushtrrisë

Mes projekteve që sjellin vetëm mirësi tek qytetarët, shqetësuese për Idrizin mbetet rënia e numrit të nxënësve në shkolla.

Kjo sipas tij, po ndodh për shkak të migrimit dhe rënies së natalitetit.

“Është shqetësim jashtëzakonisht i madh sepse dikur shkollat kanë pasur numër jashtëzakonisht të madh të nxënësve pra me bo një krahasim prej vitit 2008 është një ulje drastike e nxënësve. Për fat të keq disa shkolla të komunës së Vushtrrisë janë mbyllë, p.sh. është vet mbyllë shkolla fillore dhe e mesme e ulët në Skrome në Kurillovë, në Gumnishtë, në Karacë, në Beculk, në Gllavotin dhe rrezikojnë të mbyllen edhe disa shkolla të tjera që janë pjesa periferike e komunës”, shprehet kreu i Vushtrrisë.

Mes tjerash, Idrizi tregon edhe për faljen e tatimit në pronë që komuna e Vushtrrisë e ka miratuar, ndonëse ai nuk ka qenë dakord me këtë ligj.

“Të them shumë sinqerisht nuk jam ithtar i këtyre lehtësirave sepse ne duhet me ndërru qasje, sepse falja e tatimit në pronë nuk iu ndihmon ekonomive familjare shumë ose nxitë zhvillim ekonomik”, thekson ai.

Ndonëse kanë mbetur edhe disa muaj deri në zgjedhjet e reja komunale, kryetari i Vushtrrisë thotë se nuk është duke bërë fushatë me asnjë veprim të tij, duke shpresuar që puna e tij për këtë mandat do jetë e mjaftueshme për vendimin e qytetarëve në kutinë e votimit,

“Unë nuk jam duke menduar për mandatin tjetër, tani për tani jam duke menduar me i dal në fjalë qytetarëve me i realizu premtimet që i kam dhënë dhe këtë punën e votës unë e kam një qasje krejt tjetër pra në qoftë se përformanca ime është e pranueshme dhe janë të kënaqur qytetarët e Vushtrrisë, ata do të reflektojnë në atë kënaqësinë”, shprehet Idrizi.

Idrizi ne fund ka një mesazh për qytetarët e Vushtrrisë.

“Qytetarët e Vushtrrisë i falënderoj për respektin që më bëjnë për bashkëpunimin. Por porosia ime për qytetarët është që të jenë një qytetari më aktive, pra të përcjellin çdo gjë që punohet, ta vlerësojnë atë që bëhet mirë dhe ta kritikojnë atë që nuk bëhet mirë, pra ta ndjejnë vetën që janë qytetarë edhe ata duhet me marr përgjegjësi me kanë pjesë e proceseve sepse vetëm në bashkëpunim me qytetarë në mund të ofrojmë një qeverisje të mirë dhe një qeverisje që i plotëson nevojat e qytetarëve”, shprehet ai./Arbresh.info /Ejona Hyseni/

Intervista e plotë

Të ngjashme