Në sheshin e qytetit të Deçanit, sot u shënua 19-vjetori i Epopesë së Dukagjinit, i fillimit të luftës frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë zonë, Ditës së Dëshmorëve të kësaj zone dhe 18-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave serbe.
Epopeja e Dukagjinit, kësaj radhe u shënua pa gjeneralin e UÇK-së, Ramush Haradinaj, ku prijësit e shoqatave të luftës dhe kryetari i Komunës së Deçanit, kërkuan lirimin Haradinajt, i cili po mbahet padrejtësisht në Francë. Kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj tha se sot kur po kujtojnë dëshmorët Dukagjinit dhe të tjerë, askush nuk e kishte menduar mungesën e gjeneral Ramush Haradinajt, i cili po vazhdon të qëndrojë i ndaluar në Francë padrejtësisht.
“Sot kur po kujtojmë dëshmorët Dukagjinit, e gjithë Kosovës, sigurisht se askush prej nesh as një herë s’e ka menduar që pas Gjykatës së Hagës, ku Ramushi kishte mbrojtur pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të UÇK-së, protagonisti kryesor i saj do të mungojë fizikisht në këtë ngjarje, shkaku i një padrejtësie krejtësisht të pa pritur dhe krejtësisht të pa kuptimtë ndaj tij dhe ndaj luftës sonë për liri”, theksoi Selmanaj.
Kryetari i OVL së UÇK-së në Deçan, Avdyl Mushkolaj tha se është familja Haradinaj që 19 vjet më parë shënoi historinë e re. Ai duke i kujtuar të gjithë dëshmorët e kombit dhe familjet e dëshmorëve, kërkoi lirimin e Haradinajt nga Franca, ngase sipas tij, vlerat e UÇK-së ishin të pastra.
“19 vjet më parë, kur forcat pushtuese serbe me arsenalin e rënë luftarak sulmuan nga të gjitha anët familjen Haradinaj në Gllogjan me qëllim që t’i vrasin e t’i masakrojnë me robë e fëmijë dhe me këtë të shuajnë vatrën e kryengritjes që po pritej të shpërthente dhe t’u jepej mësim të gjithë shqiptarëve, që vendosin t’u kundërvihen okupimit barabar serb ndodhi mrekullia. Betaja e 24 marsit ishte ndër betejat vendimtare që zhvilloi luftën për liri populli shqiptarë, në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sot në këtë datë të shënuar nga vendlindja e komandantit Ramush Haradinaj përsërisim kërkesën e qindra e mijëra shqiptarë anë e mbanë botës, drejtuar autoriteteve franceze dhe botës demokratike, ne nuk pajtohemi me padrejtësi. Nuk po kërkojmë mëshirë, por kërkojmë drejtësi dhe lirim të pa kusht të heroit tonë të gjallë, Ramush Haradinaj”, deklaroi Mushkolaj. Princi Leka i Dytë, me ketë rast duke kujtuar të rënët, shprehi besimin e tij të plotë që Ramush Haradinaj do të kthehet sa më parë në Kosovë. Ai theksoi se populli shqiptar është i bashkuar dhe është për një unitet kombëtar, i cili do të ndodhë në të ardhmen.
“Motra dhe vëllezër shqiptarë, jemi këtu për të respektuar dhe të nderuar gjithë ato familje, të gjithë ata dëshmorë, që kanë luftuar për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Dhe jemi të bashkuar të urojmë kthimin sa më të shpejt të heroit tonë kombëtar, Ramush Haradianj. Ne shqiptarët jemi të bashkuar me shpresën tonë, që në të ardhmen, Shqipëria dhe Kosova dhe trojet etnike kombëtare të jenë të bashkuara, me dashuri dhe liri për një unitet kombëtar dhe stabilitet në rajon”, deklaroi Princi Leka Zogu i Dytë. Ish komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha duke uruar Ditën e Epopesë së Dukagjinit, shpresoi se më 9 prill kur është Dita e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, Ramush Haradinaj do të jetë në Kosovë. Sipas tij, rrugëtimi i kosovarëve drejtë lirisë ishte plotë sakrifica, plotë sfida, por këto sfida nuk u ndalën me përfundimin e luftës, ai tha se mbetet që populli shqiptar të jetë sa më i bashkuar.
“Beteja e Prekazit, beteja e Gllogjanit, ishin sinjalet më të qarta se tani më lufta e hapur në Kosovë ka filluar. Pas betejës së Prekazit forcat serbe ushtarake policore, kishin përgatitur një plan operativ dhe iu vërsulen kullave të Dukagjinit, të Gllogjanit ku për objektiv kryesor e kishin familjen emblematike Haradinaj. Por, realizimi i këtij plani iu dështoi, sepse hasen në rezistencë të jashtëzakonshme të kësaj familje”, theksoi deputeti Berisha. Në emër të familjes së dëshmorëve në Dukagjin, foli Daut Haradinaj, i cili tha se ky mars tregon se sa e drejtë e dhe e pastër ishte lufta e UÇK-së e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Sipas tij, 24 marsi është vula më e mirë se Amerika dhe aleatët e saj të NATO-s, u bashkuan me shqiptarët dhe me të drejtën e qytetarëve të Kosovës.
“Është e vërtet se kemi shënuar plotë marse pa Ramushin, por mendoj se ky mars e dëshmon më së miri se sa të bashkuar jemi dhe sa përkrahje ka lufta e drejtë e jona, të cilën në Dukagjin e udhëhoqi Ramushi. Po shoh Luginën e Preshevës këtu, po shoh Shqipërinë, po shoh veteranë prej të gjitha anëve që kanë ardhur me na nderuar, e unë nuk dua me zgjatë më shumë, por çka të kërkon Serbia këtu, ka me na gjetur sa herë të donë të bashkuar, të vendosur, sepse Serbia dhe aleatët e saj duhet me ditur që kur shqiptarët bashkohen, s’ka zot që i ndal në rrugën e vet dhe në qëllimin e vet”, deklaroi Berisha. Kryetari i komunës së Deçantit, Rasim Selmanaj, në emër të kësaj komune ka nderuar të gjithë dëshmorët, heronjtë dhe martirët e Deçanit. Selmanaj ka ndarë Dekoratën “Shkëlzen Haradinaj” për heronjtë Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj.
100 mijë euro këshilltarit, nënkryetari i të rinjve të AAK-s...
Kumbaro: Shqipëria në syrin e Condé Nast Traveller është des...
Kosova vazhdon stërvitjet për dy sfidat e nëntorit
Daut Haradinaj: Kurti po injoron shkeljen e të drejtave të s...
Aktakuzë ndaj një mjeku të QKUK-së që lëshojë dokument të fa...
Rritet numri i të vrarëve në sulmin rus në Odesa