Nga 13 shtatori Presidenti mund të shpallë edhe zgjedhjet nacionale më 22 tetor

13:48 | 4 Shtator 2017
M. A.

Dy bllokadat aktuale, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i Qeverisë, janë duke e quar vendin drejtë zgjedhjeve të reja parlamentare që po parashihen të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale, pra, me 22 tetor, shkruan arbresh.info

Janë bëra gati tre muaj që koalicioni PAN, nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje për zhbllokim, e madje karshi kësaj po hesht edhe i pari i vendit, Hashim Thaçi.

Thaçi e ka në dorë që pas datës 13 shtator ta çoj vendin në zgjedhje të reja, ku sipas analistëve, duket së ky është caku i tij.

Analisti, Agron Halitaj ka thënë se gjasat që presidenti t’i shpallë zgjedhjet parlamentarë në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale janë shumë reale.

“Presidenti Hashim Thaçi, praktikisht do të duhej të angazhohej në gjetjen e një zgjidhjeje që e shmangë përsëritjen e zgjedhjeve të parakohshme. Mirëpo deri më sot, ai nuk ka dhënë asnjë provë se është i interesuar të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve, ashtu siç e përcakton Kushtetuta rolin e tij,” shprehet Halitaj.

Rrjedhimisht, sipas tij procesi po shkon në drejtim të përsëritjes së zgjedhjeve, pasi edhe PDK-ja, qartazi është duke reflektuar se nuk është e interesuar të jap kontributin e saj në krijimin e institucionet e reja.

“Të gjithë përpjekjet për sigurimin e votave që ia mundësojnë Kadri Veselit që të zgjidhet për herë të dytë kryeparlamentar është duke i  bërë Ramush Haradinaj si i vetëm, pa përkrahjen e vet protagonistit. Marr parasysh këto zhvillime, gjasat që presidenti t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme në datën e njëjtë me atë të zgjedhjeve lokale janë shumë reale”, tha Halitaj.

Analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj, ka thënë për “arbresh.info” presidenti mund t’i shpall zgjedhjet nëse me çdo kusht dëshiron që vetëm PAN-i të formoj qeverinë, ndryshe do të ishin jashtë çdo rregulli kushtetues.

“Nuk ka nevojë për shpalljen e zgjedhjeve të reja nacionale. Presidenti është i obliguar të gjejë zgjidhje dhe opsione ekzistojnë. Por, nëse me çdo kusht presidenti dëshiron që vetëm PAN-i të krijojë qeverinë e askush tjetër, atëherë mund t’i shpall zgjedhjet. Një veprim i tillë eventual i presidentit do të ishte në favor të një subjekti të caktuar politik dhe jashtë çdo rregulli dhe frymës kushtetuese”, ka thënë Mushkolaj.

Kjo javë është vendimtare për themelimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, apo në variantin tjetër, të vendoset për zgjedhje të reja nacionale./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme