Gazeta amerikane, The New York Times, e ka quajtur detyrë të vështirë për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vizitën e tij në Kosovë, të shtunën.
E përditshmja njujorkeze ka raportuar se kreut të shtetit serb i është dashur të vizitojë një shtet fqinj, sovranitetin e të cilit ai nuk e njeh, që t’i adresohet një grupi të njerëzve thellësisht mosbesues ndaj qëllimeve të tij, dhe të flasë për një vrasje që mbetet e pazgjidhur.
Në një vizitë të aranzhuar me nguti, menjëherë pas vrasjes në pikë të mëngjesit të politikanit të moderuar serb, Olliver Ivanoviq, Vuçiq u zotua në fundjavë se do t’i mbrojë serbët që jetojnë në Kosovë, një vend që ende lëngon nga luftërat ballkanike të viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, teksa bëri thirrje për qetësi, shkruan NYT, të dielën.
“Vuçiq, duke folur të shtunën para një manastiri ortodoks serb të shekullit të katërmbëdhjetë, afër një mali të mbuluar nga bora, nxiti popullatën serbe të mos heqë dorë nga Kosova, një territor i banuar me shumicë shqiptare, të cilin dikur e dominonin dhe për të cilin bënë luftë”, raporton gazeta amerikane.
NYT shkruan se “udhëheqësi serb u mundua të tregohet tejet i kujdesshëm në vizitën e tij, në përpjekje për kënaqur audienca të ndryshme – popullin serb, dhe udhëheqësit perëndimorë, të cilët po mundohet t’i joshë, teksa po punon për ta shtyrë Serbinë drejt Bashkimit Evropian”, transmeton Gazeta Express.
E përditshmja njujorkeze kujton se Vuçiq është pasardhës politik i ish-diktatorit serb, Sllobodan Millosheviq, i cili u ngrit në pushtet falë mbështetjes së serbëve të Kosovës në fundin e viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar.
“Si udhëheqës i Serbisë, fillimisht në rolin e kryeministrit, dhe tani të presidentit, Vuçiq po ecën hapave të Millosheviqit, për t’u paraqitur si figurë qendrore në jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë”, shkruan NYT.
Presidenti serb, i cili është pritur me bukë e kripë nga zyrtarë të lartë të kishës, me të arritur në manastirin e Banjskës, mundohet gjithashtu të mbajë raporte të mira me Kishën Ortodokse Serbe, dhe besohet të jetë patroni kryesor i politikanëve serbë që janë deputetë në Kuvendin e Kosovës, raporton gazeta.
“Por, për dallim prej Millosheviqit, i cili ka kundërshtuar dhe ka luftuar kundër Perëndimit gjatë qeverisjes së tij, Vuçiq paraqitet si properëndimor, duke u distancuar nga e kaluara e tij radikale, teksa Serbia po përpiqet të integrohet në BE”, thuhet në shkrimin e NYT.
Në Serbi, mediat vazhdimisht sulmojnë shqiptarët, dhe serbët që mbështesin çfarëdo kompromisi për Kosovën, duke përdorur gjuhë fyese për të përhapur mesazhin populist të Vuçiqit kundër pavarësisë së Kosovës, thotë gazeta, duke cituar njohës të zhvillimeve.
Nëse Vuçiq dëshiron të mbetet në pushtet, ai duhet t’i mbajë serbët në gjendje të vazhdueshme frike, veçanërisht ata në Kosovë, ku është munduar të paraqitet si mbrojtës dhe shpëtimtar i tyre, ka thënë për NYT, analisti nga Beogradi, Dragan Popoviq.
“Kjo është arsyeja pse ai ka shkuar atje menjëherë pas vdekjes së një politikani, të cilin ai e akuzonte si tradhtar”, ka thënë Popoviq.
Gazeta shkruan se pasi Vuçiq ka vënë kurorë mbi trotuarin ku Ivanoviq është vrarë, ai ka folur me udhëheqësit lokalë në Mitrovicë, dhe ka thënë se vrasja ka krijuar një “atmosferë të tmerrshme”. Vuçiq, thotë NYT, e dinte se mesazhi i tij s’ishte diçka që shumë njerëz donin ta dëgjonin.
“Njerëzit janë të frikësuar dhe po ndihen të sulmuar”, ka thënë Vuçiq.
Por, ka shtuar se është më mirë të lejohet përfundimi i hetimit rreth vrasjes, dhe që udhëheqësit politikë të bisedojnë, sesa “plumbat të fluturojnë”. Në të njëjtën kohë, Vuçiq ka thënë se bisedimet me zyrtarët kosovarë për normalizimin e marrëdhënieve nuk do të vazhdojnë në Bruksel, derisa të zbardhet vrasja – diçka që, sipas gazetës, do të jetë sfiduese, marrë parasysh se ka pak pista.
Në vizitën e tij në Kosovë gjatë fundjavës, shkruan NYT, Vuçiq është pritur nga turma skeptike dhe të tensionuara.
“President, na ndihmo!”, ka bërtitur një person. “Po na shënjestrojnë, vetëm pse jemi serbë”.
“Të lutem, a mund të na garantosh siguri në tokën tonë”, ka bërtitur një tjetër.
Kritikët e Vuçiqit e akuzojnë atë se po ngjall frikë te serbët e Kosovës, sepse ata janë të dobishëm për të – por ai po ashtu është munduar t’i mbajë ata nën kontroll, raporton NYT. /Express
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?
A është tradhtia një sëmundje apo një zgjedhje?