Autoritetet shëndetësore duhet të përshpejtojnë ritmin e vaksinimit kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi, në mënyrë që të përmbushet synimi i Qeverisë së Kosovës, që deri në fund të këtij viti, të vaksinohet 60 për qind e popullatës.
Kështu thonë Ekspertët e Shëndetësisë në Kosovë.
Megjithatë, ata shprehen se imunizimi varet nga sasia e dozave që siguron Kosova.
Syla: Nevojiten 20 mijë doza të vaksinave brenda ditës
Blerim Syla, nga Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë, për arbresh.info, tha se vaksinimi varet nga numri i dozave që arrijnë në Kosovë. Sipas tij, autoritetet kosovare duhet të krijojnë mundësi që brenda ditës, në nivel vendi të vaksinohen deri në 20 mijë qytetarë.
“Nëse vazhdon ky ritëm nuk mundet. Duhet me u rrit sasia e vaksinave, dhe kur t’i kemi të sigurta që furnizohemi çdo javë me to, atëherë duhet të bëhet plani strategjik dhe vaksinimi masivë, ku duhet të vaksinohen brenda ditës 15 deri 20 mijë qytetarë, atëherë mund të themi se mund të vaksinohen 60 për qind e popullsisë”, shprehet Syla.
Në anën tjetër anëtari i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Bekim Haxhiu thotë se Qeveria Kurti duhet të garantojë me dorëheqje, nëse nuk arrin ta vaksinojë 60 për qind të popullsisë deri në fund të këtij viti, ashtu siç ka premtuar.
Haxhiu: Qeveria të garantojë me dorëheqje nëse nuk përmbushin vaksinimin e 60% të popullsisë
Sipas Haxhiut, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk ishte në gjendje të jap një garanci të tillë.
“Ministri Vitia nuk ishte në gjendje të garantoj se do të arrijë 60% të vaksinimit me dy doza deri në fund të vitit. Kërkesa ishte e qartë që Ministri Vitia dhe Qeveria e Kosovës të garantojnë me dorëheqje nëse nuk përmbushin vaksinimin e 60% të qytetarëve deri me 31.12.2021. Kjo kërkesë është e qartë me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës se qytetarëve, por Vitia nuk ishte në gjendje ta garantoj atë”, shprehet Haxhiu për abrresh.info.
Megjithatë, pohon se për shkak të dështimit të kësaj qeverie, Serbia ka arritur të bëjë afro 30 mijë vaksinime të qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, Kosova ka mbetur shteti i fundit në Evropë sa i përket blerjes së vaksinave anti-Covid.
“Arben Vitia fillimisht duhet të kërkoj falje për vonesat në sigurim të vaksinave dhe dështim në proces të vaksinimit. Kosova është e fundit në Evropë që ka blerë vaksina dhe e fundit me proces të vaksinimit. Shqipëria ka arritur afro 800 mijë vaksinime me dozën e parë dhe afro 300 mijë vaksinime me dy doza e vaksinave. Ndërsa Kosova ende nuk ka bërë 65 mijë vaksinime me një dozë dhe zero me dy doza. Për shkak të dështimit të Qeverisë së Kosovës. Serbia ka arrit me i be afro 30 mijë vaksinime të qytetarëve të Kosovës”, thotë Haxhiu.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë, të premten ka njoftuar se kanë arritur një marrëveshje me kompaninë Pfizer, për sigurimin e mbi 1.2 milion dozave të vaksinave kundër koronavirusit.
Procesi i vaksinimit kundër COVID-19, në Kosovë ka nisur dy muaj më parë dhe deri më tani në Kosovë janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç, dhe në proces të vaksinimit janë personat mbi moshën 65 vjeç.
Së shpejti pritet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë së Kosovës.
Kosova deri tani ka pranuar mbi 177 mijë doza vaksinash, si donacion nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për dhurimin e vaksinave në vendet e varfra, apo Bashkimi Evropian./arbresh.info/
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje