Nesër vazhdimi i dialogut Prishtinë-Beograd

15:05 | 15 Janar 2018
Arbresh.info

Dialogu teknik ndërmjet Prishtinës e Beogradit do të vazhdojë nesër në Bruksel, pas më shumë se një vit pauzë, transmeton Koha.net.

Takimi ndërmjet dy delegacioneve, siç u njoftua, do të duhej të zgjaste tri ditë.

Gjatë takimit pritet të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, lirinë e lëvizjes, jurisprudencën, ndërsa mediet serbe thonë se do të bisedohet edhe për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Pres që më 16 janar të fillojë takimi në Bruksel. Kemi filluar përgatitjet për atë takim”, ka thënë Avni Arifi, i cili të premten e shkuar është emëruar shef i delegacionit të Kosovës në pjesën teknike për dialog e Beogradin.

Koha.net ka mësuar se në këtë takim do të marrin pjesë Avni Arifi, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Ardian Arifaj dhe Blerand Stavileci.

Delegacionin e Serbisë e udhëheq Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Bashkimi Evropian pret nga të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedime dhe të kenë qasje të orientuar kah rezultati”, ka thënë dje Kocijançiç për Novostin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme