Nesër seanca gjyqësore për Ramiz Kelmendin

20:32 | 11 Nëntor 2018
Arbresh.info

Nën akuzat për vjedhje të rrymës pritet që nesër të dalë para Gjykatës në Prishtinë deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi.

Kjo seancë pritet të mbahet pas dy dështimeve më radhë.

Herën e parë dështoi për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të Ramiz Kelmendit ndërsa herën e fundit si pasojë e mungesës së paarsyetuar te prokurorit të çështjes.

Deputeti Kelmendi akuzohet se më qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme nga data e pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, kompania “Elkos”, në Fushë-Kosovë, e cila është pronë e tij, i kanë shkaktuar dëm KEK- ut në vlerë prej 22.801.19 euro.

Kjo pasi që, sipas Prokurorisë, gjatë një kontrolle të bërë në kompaninë “Elkos” nga punëtorët e KEK-ut, kanë vërejtur se Kelmendi me qëllim të vjedhjes e ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike.

Në aktakuzë më tej sqarohet se deri tek ky konkludim nga punëtorët e KEK-ut ka ardhur pasi që janë gjetur dy transformatorë të rrymës që kanë qenë jashtë matjes, derisa një përçues ishte shkëputur nga lidhja.

Si rrjedhojë, Prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve dy të tretat (2/3) e energjisë elektrike nuk ishte regjistruar, me ç ‘rast edhe e akuzon Kelmendin me veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Në janar të këtij viti, Ramiz Kelmendi për KALLXO.com kishte kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokuroria me pretendimin se në kohën për të cilën flitet në aktakuzë ai nuk ka pasur përgjegjësi ndaj kompanisë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme