Nesër protestohet në Gjakovë

23:20 | 5 Janar 2019
Arbresh Info

Qytetarët e Gjakovës të cilët ende po i kërkojnë familjarët e tyre të pagjetur, do të mbajnë protestë gjatë ditës së nesërme në orën 08:00 të mëngjesit, në kohën kur pritet që qytetarë serbë të kryejnë pelegrinazh në këtë qytet.

Ata kanë paralajmëruar se thirrja e tyre për protestë nuk ka të bëj me besimin e tyre, porse në mesin e pelegrinëve serbë ka persona që ua njohin të bëmat gjatë luftës.

THIRRJE PËR PROTESTË

Sërish erdh janari, sërish presim të vjen një grup serbësh në qytetin e Gjakovës me datën 6. Ne, qytetarët e Gjakovës, nuk kemi problem me besimin e tyre e as me të drejtën e tyre për të bërë pelegrinazh, siç interpretohet nga ta.

Problemin që kemi ne është se në mesin e tyre ka persona të cilëve ne ua njohim të bëmat gjatë luftës. Ata kanë emër e mbiemër. Por, jemi dëshmitarë se të njëjtit nuk janë hetuar, gjykuar, e dënuar, për këto të bëma. Në këto rrethana kur heshtja institucionale ka shtuar krip në plagët tona, vizita e tyre në qytetin që e lanë me gjak dhe e bënë shkrumb e hi është provokim. Nuk mbetet rrugë tjetër përpos protestës qytetare.

Prandaj, ne, qytetarët e Gjakovës, u bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të na bashkohen ditën e diel, me datën 6 janar, tek rruga “Mbretëresha Teutë,” nga ora 8:00 në mëngjes. Edhe këtë vit do të protestojmë paqësisht. Dalja jonë dëshmon se Gjakova nuk ka harruar. Dalja jonë dëshmon se Gjakova kërkon drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga regjimi serbë kudo në Kosovë.

Gjakova NUK harron!

Gjakova kërkon drejtësi!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme