Nesër pritet të shpallet vendimi për të arrestuarit në veri

23:20 | 29 Maj 2019
Arbresh.info

Gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca dëgjimore për personat e arrestuar në veri, e cila ka nisur në orën 13:00 dhe ka përfunduar rreth orës 19:00, duke zgjatur kështu rreth gjashtë orë të plota raporton zeri.info.

Megjithkëtë sot nuk është marrë vendim për të arrestuarit në komunat veriore.

Prokurori i Prokurisë Speciale, Sylë Hoxha, ka kërkuar para trupit gjykues paraburgim ndaj të arrestuarve. Një gjë të tillë Hoxha e ka konfirmuar për zeri.info, me ç’rast ka thënë se paraburgimin e ka propozuar qysh nga fillimi.

Ndërkohë ka pohuar se nuk ka kërkuar afat të caktuar për paraburgim, porse ka thënë se kjo çështje është e rregulluar me afat ligjor prej 30 ditësh.

“Kemi kërkuar paraburgim ndaj këtyre personave. Ne nuk e caktojmë afatin për paraburgim, por është afat ligjor prej 30 ditësh”, ka theksuar ai, teksa ka bërë të ditur se seanca do të vazhdojë gjatë ditës së nesërme duke filluar nga ora 09:00 e mëngjesit.

Seanca sipas tij nuk ka përfunduar sot pasi që ende nuk janë dëgjuar të gjithë personat e arrestuar.

“Nuk është kryer. Nuk është vendosur ende sepse nuk i kemi dëgjuar krejt, se është një numër i madh i tyre, krejt janë 30 persona të arrestuar”, ka nënvizuar Hoxha për zeri.info. Rrjedhimisht, nesër pritet të shpallet edhe vendimi për personat që u arrestuan të martën.

Ndërkohë, gjatë ditës së martë të kësaj jave janë arrestuar 30 persona, 19 punonjës policorë dhe 11 qytetarë, nën dyshimin për kontrabandim mallrash, keqpërdorim të pozitës zyrtare, tregti e ndaluar dhe marrje ryshfeti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme